LEOTRIM KRASNIQI
Krasniqi: Jemi duke menduar për ndeshjet e ardhshme dhe jo për stinorin e ardhshëm
10 April, 2021 @17:38
Skuadra e fundit në radhitjen tabelare, Besa, pësoi humbjen e radhës në Superligë duke u mposhtur nga Ballkani me rezultat 4-1.
Pejanët në pjesë e parë ishin rivalë më të barabartë, por në pjesën e dytë ndryshuan gjërat dhe Ballkani krijoi epërsinë e thellë për fitore.
Lidhur me këtë, trajneri i Besës, Leotrim Krasniqi, tha se pavarësisht rezultatit, ai është ndarë i kënaqur me lojën dhe angazhimin e ekipit të tij.
“Arsyeja e humbjes nuk ishte vetëm lodhja, sepse golat i pranuam jo nga loja por nga ndërprerja. Besoj që ishim mirë të vendosur në fushë sidomos në pjesën e parë dhe krijuam raste më shumë. Kundërshtarin nuk e lejuam ta bëjë lojën e vet. Por në pjesën e dytë lodhja e disa lojtarëve dhe lëndimet e disa të tjerëve besoj që ndikuan në rezultat. Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja dhe angazhimi i gjithë ekipit”, tha Krasniqi për Art Sport.
Më tej ai foli edhe për gjendjen aktuale në tabelë dhe gjasave reale për rënie në Ligën e Parë, duke thënë se si ekip janë duke menduar vetëm për ndeshjet e radhës dhe për asgjë tjetër.
“Jemi duke menduar për lojën e ardhshme kundër Drenicës dhe nuk jemi duke menduar aspak për stinorin e ardhshëm. Kemi edhe 8 lojë, do të qasemi njëjtë si në këtë lojë. Do të vazhdojmë të punojmë që këta djemë të rriten, gjë që tashmë kanë filluar ta dëshmojnë. Kështu që na mbetet që t’i marrim ndeshjet një nga një prej fillimit deri në fund”, përfundoi ai.