Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LFR

Krerët e FFK-së takojnë e përfaqësuesit e LRF-ve për digjitalizim të garave

Krerët e FFK-së takojnë e përfaqësuesit e LRF-ve për digjitalizim të garave


17 May, 2021 @17:25

Sot në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” është mbajtur takimi me kryetarët, sekretarët dhe administratorët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit.

Të pranishëm në këtë takim ishin presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth digjitalizimit të garave dhe proceseve tjera, ku rol të veçantë do të kenë Lidhjet Rajonale. Në këtë takim u dhanë detaje rreth procesit të regjistrimit të lojtarëve si dhe reformave të sistemit elektronik FIFA Connect, e ku shumë procese do t’i delegohen Lidhjeve Rajonale.

Presidenti Agim Ademi theksoi se qëllimi është që t’u jepet më shumë kompetencë LRF-ve dhe të decentralizohet procesi i regjistrimit të lojtarëve, në mënyrë që shkollave dhe klubeve të futbollit t’iu lehtësohet puna në këtë aspekt. Ai po ashtu kërkoi nga LRF-të që të angazhohen më shumë edhe rreth procesit të sigurimit të parcelave nga komunat për ndërtimin e fushave stërvitore, duke kërkuar që ato të jenë sa më afër qyteteve, në mënyrë që të jenë më funksionale dhe fëmijëve t’u lehtësohet shkuarja në stërvitje.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm, Salihu theksoi se FFK e ka prioritet ngritjen dhe zhvillimin e LRF-ve, në mënyrë që puna efikase dhe profesionale të nisë që nga baza. Ai bëri me dije se me qëllim të informimit sa më të mirë me procesin e digjitalizimit dhe regjistrimit të lojtarëve në LRF, gjatë javës do të mbahet edhe një workshop me sekretarët dhe administratorët e LRF-ve.

Ndërkaq, menaxheri i sistemit FIFA Connect, Dardan Sadiku ua ka shpjeguar të pranishmëve procedurat rreth decentralizimit të punëve në LRF sa i përket regjistrimit të lojtarëve amatorë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga