VEDAT MURIQI
Kryetari i Fenerit deklarohet për transferin e mundshëm të Muriqit
18 January, 2021 @20:43
Ambientimi i vështirë te Lazio, kanë hapur spekulime të shumta të rikthimit të Vedat Muriqit te ish skuadra e tij, Fenerbahçe.
Transferimi i fundit të Mesut Ozil te gjiganti turk, i ka rritur apetitet te kanarinat e verdha, ndërsa së bashku me Muriqin në medie është përmendur edhe emri i Eden Hazardit.
Megjithatë këtyre spekulimeve i dha fund kryetari i Fenerbahçes, Ali Koç, i cili u deklarua pas ndeshjes së sotme ndaj skuadrës së Idriz Vocës, Ankaragucu.
“Lidhur me Vedat Muriqin unë nuk kam pranuar asnjë kërkesë nga kryetrajneri apo drejtori ynë sportiv. Shpresoj të qëndrojë atje dhe të arrijë suksese përtej ëndrrave të tij. Duhet të jetë i durueshëm. Ai është djalë i yni. Nëse krijohet ndonjë situatë për rikthimin e tij në Turqi sigurisht që do ta shprehim interesimin tonë, por momentalisht diçka të tillë nuk kemi,” tha Koç.
Muriqi ishte transferuar në Lazio nga Fenerbahce në fillim të këtij stinori për 18.5 milionë euro.
Prizrenasi nuk ka mundur të ambientohet akoma në skuadrën nga kryeqyteti italian pasi që ende nuk ka arritur të shënojë ndonjë gol në gjithsej 13 paraqitje me fanellën e Lazios.