Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VENDIMI I KG-së

Gjilanit i shtyhet edhe një ndeshje!

Gjilanit i shtyhet edhe një ndeshje!


16 August, 2023 @19:45

Për shkak të problemeve financiare SC Gjilani nuk nisi kampionatin ende në Superligë. Ekipi i kuq nga Gjilani pas aventurës evropiane dhe dorëheqjes së kryetarit Florim Zuka - ra në kolaps financiar, ndërsa lojtarët më të dalluar të ekipit veçse gjetën angazhim në skuadra tjera.

Kjo bëri që Gjilani të kërkojë shtyerjen e ndeshjes së xhiros së parë të Superligës ndaj Fushë Kosovës. Ekipi tash po përballet me probleme organizative, ndërsa është në kërkim të pronarëve të rinj. Edhe pse u përfol për gjetjen e pronarëve, skuadra ende nuk është gati që t’ia nis garave dhe ata tashmë kanë bërë kërkesë për shtyerje të ndeshjes së xhiros së dytë ndaj Prishtinës. Por kësaj radhe jo për datë të pacaktuar si me Fushë Kosovën, por për dy ditë.

Prishtina ka mirëkuptuar këtë, ndërsa kërkesa e Gjilanit drejtuar Komisionit të Garave të Superligës, ku kryesues është Abdyl Bellopoja ka miratuar kërkesën e ekipit që deri në gusht drejtohej nga Klodian Duro.

“Komisioni i Garave aprovon kërkesën e SC Gjilani që për shkak të problemeve organizative dhe me mirëkuptimin e FC Prishtina, ndeshja e paraparë të zhvillohet të shtunën më 19 gusht të shtyhet për të hënën më 21 gusht në orën 17:00.” - ka shkruar njoftimi i KG-së lëshuar pak më parë në faqen zyrtare të Federatës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga