NË PRITJE...
Festim Alidema drejt Lirisë?!
16 August, 2023 @9:28
Sulmuesi i Llapit, që s’arriti assesi të gjejë veten në HNL 1. të Kroacisë, Festim Alidema pritet të bëhet sulmues i ri i Lirisë së Prizrenit. Alidema 25-vjeç ditë më parë iu bashkangjit agjencisë për menaxhimin e lojtarëve që është në pronësi të pronarit të Lirisë, KA Sportmanagement.
Plani ishte që ish-lojtari i Vllaznisë së Pozharanit të shkojë drejt Turqisë, dhe të bëhet pjesë e ekipit Tuzlaspor. Mirëpo, sipas informatave nga media të ndryshme, Alidema nuk arriti të bëhet pjesë e klubit, për shkak se ekipi kishte numrin maksimal të të huajve në skuadër.
E tash, derisa Liria ishte në kërkim të një sulmuesi, ndërsa stinori veçse ka filluar, Alidema që ka luajtur për Llapin, Hrvatski Dragovoljac, Drita e Slaven Belupo - pritet t’i bashkangjitet bardhezinjëve nga Prizreni, që iu rikthyen Superligës pas katër stinorësh militimi në Ligë të Parë. Ai nuk do të bëhet pjesë e Lirisë vetëm nëse i vjen një ofertë dukshëm më e mirë.
Në stinorin e kaluar në Superligë 22/23 Festimi dha gjashtë gola për Llapin, dy prej të cilave nga penalltia, ndërsa ka regjistruar tetë asistime. Liria nisi stinorin me humbje nga kampioni aktual i Superligës Ballkani, 0-1. Në xhiron e dytë Liria përsëri është vendase dhe do të luajë ndaj ish-ekipit të Alidemës, Drita - që është nënkampione aktuale e Kosovës.