MIQËSORE
Kryeziu sërish vendos, Kosova U19 edhe një fitore
Teskti: FFK
29 January, 2018 @10:58
Djemtë e Kosovës U-19 për herë të dytë konfirmuan veten se ishin më të mirë se ata të Azerbajxhanit, pasi që edhe në ndeshjen e dytë shënuan fitore me po të njëjtin rezultat 1:0 sikur në ndeshjen e parë dhe sërish trim i ndeshjes ishte Leotrim Kryeziu, që për azerbajxhanasit u bë macja e zezë.
Ishte një bashkëveprim i shkëlqyeshëm dhe i menduar mirë në minutën e 47-të, ndërmjet Lot Celinës dhe Leutrim Kryeziut dhe ky i fundit këtë e kurorëzoi me gol duke e lënë të stepur mbrojtjen dhe portierin e Azerbajxhanit dhe duke heshtur e shuar shpresat e gjithë ekipit të Azerbajxhanit.
Ndërkaq, pas ndeshjes përzgjedhësi Ramiz Krasniqi dukshëm i kënaqur u shpreh:
”Ishte një lojë shumë e fortë. Djemtë mbizotëruan gjatë gjithë ndeshjes dhe luajtën me një stabiltet të madh. Krijuam shumë raste dhe rezultati ka mundur të jetë shumë më bindës, por arritëm vetëm një gol dhe kjo mjafton për fitore. Kundërshtari vetëm në 10-të minutat e fundit u përpoq të bëjë diçka më shumë, pasi që nga loja doli Leutrim Kryeziu dhe u detyruam të bëjmë ndryshim në koncept të lojës, por sërish skuadra e jonë ruajti mirë epërsinë. Ndeshja e sotme ishte shumë më e mirë se ajo e para dhe djemtë treguan karakter të fortë fitues”.
Ndeshja e radhës në kuadër të këtyre përgatitjeve për rrethin elit do të zhvillohet më 1 shkurt kundër U-21 të Shakhtarit.
Kosova U 19 në tre miqësoret e zhvilluara në Turqi, ka mposhtur dy herë bashkëmoshatarët azerë dhe njëherë ata kazakë.