Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GJILAN

Kthehen Busic, Razak, Veliu e Kastrati - Gjilani i kompletuar

Kthehen Busic, Razak, Veliu e Kastrati - Gjilani i kompletuar


16 November, 2020 @23:00

Katër lojtarë startues, që i kanë munguar shumë Gjilanit këtë edicion të Superligës pritet t’i kthehen që në përballjet e ardhshme të skuadrës nga Anamorava.

Sipas njoftimit që ka siguruar Koha.net nga drejtori sportiv i skuadrës së Gjilanit, Sevdail Robelli, katër lojtarët që kanë qenë startues dhe që kanë munguar për shkak të lëndimeve që prej fillimit të pandemisë e disa prej fundit të sezonit të kaluar - tashmë po i kthehen skuadrës.

Sulmuesi kroat Tomislav Busic, pastaj sulmuesi afrikan Keita Razak, qendërmbrojtësi shqiptar Franc Veliu dhe kapiteni Ylber Kastrati - tashmë kanë marrë “OK” nga mjekët për t’u paraqitur në stërvitje dhe shpejt pritet të dalin në fushë me ekipin.

“Janë kthyer në stërvitje Tomislav Bushiqi, Razak Keita, Franc Veliu, Ylber Kastrati dhe disa lojtarë të tjerë që kanë qenë të lënduar. Bushiqi nuk ka luajtur që nga fillimi i pandemisë, kur ishte lënduar në stërvitje në muajin maj, kurse Razaku nuk luajti asnjë ndeshje të këtij sezoni, pasi u lëndua në fund të edicionit të kaluar. Më në fund ekipi është i kompletuar, pasi kemi pasur telashe të mëdha. Gjilani po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Drenicës dhe jemi të kënaqur që do ta kemi ekipin e kompletuar për të vazhduar serinë pozitive të rezultateve,” ka thënë Robelli për Kohën.

Gjilani nuk ka pësuar humbje qe 10 ndeshje në Superligë dhe aktualisht mban vendin e tretë në tabelë, duke qenë 6 pikë larg kreut që e mban Ballkani.

Ekipi gjithashtu në muajin e fundit po drejtohet nga Sallah Sherifi, pasi që kryetrajneri Gentian Mezani për shkak të arsyeve familjare është duke qëndruar në Shqipëri.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga