RIVALET E KOSOVES
Ku qëndrojnë rivalët e Kosovës të miqësoreve të Antalyas?
28 April, 2021 @14:26
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një njoftimi dje pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (KE) ka bërë të ditur se ka arritur që të aranzhojë edhe dy miqësore për muajin qershor.
Pas miqësoreve që do t’i zhvillojë në Prishtinë me San Marinon dhe Kazakistanin, ku pritet të jenë lojtarët e zakonshëm që ftohen, ekspedita e kombëtares do të udhëtojë në Antalya të Turqisë më 5 qershor, ku do të ketë miqësore me dy kombëtare që s’ka zhvilluar ndeshje ende dhe janë të ulëta në renditjen e FIFAs.
Aty Kosova do të paraqitet me futbollistë kryesisht të Superligës së Kosovës, ndërsa datat dhe ora e këtyre ndeshjeve nuk janë bërë të ditura.
Përndryshe Gambia është e renditur në pozitën e 152 në FIFA, ndërsa Komoros në pozitën e 131-të.
Derisa Gambia është në pjesën Perëndimore të Afrikës, Komoros është grup ishujsh në juglindje të Afrikës, mes Madagaskarit dhe Mozambikut.
Gambia lojtarin më të dalluar aktualisht e ka Assan Ceesay që luan në Zurich, ndërsa ka edhe disa lojtarë që luajnë në Sampdoria (Colley), Livorno (Bobb) dhe Bologna (Barrow).
Në anën tjetër, Komorosi thuajse tërë kombëtaren e ka që luan në ligat e ndryshme të Francës, por asnjëri në Ligue 1. Futbollistët më i dalluar të tyre janë Ben Nabouhane 24-vjeçar që luan në Serbi për Crvena Zvezdën dhe Youssouf M’Changama që luan te Guingampi.