UEFA EURO 2020
Kualifikimet për EURO2020, me kë mund të ndeshen Kosova e Shqipëria?
1 December, 2018 @16:21
Me fillim nga ora 12:00 sipas kohës tonë lokale, nesër në Dublin të Irlandës do të mbahet shorti për grupet e fazës kualifikuese drejt Kampionatit Evropian të vitit 2020.
Shqipëria ndodhet në vazon e katërt të shortit, Kosova ndodhet në të pestën, ndërsa më poshtë janë paraqitur të gjitha skuadrat pjesëmarrëse sipas vazove përkatëse para shortit.
Vazoja e Ligës së Kombeve: Zvicra*, Portugalia*, Holanda*, Anglia*.
Vazo 1: Belgjika, Franca, Spanja, Italia, Kroacia, Polonia.
Vazo 2: Gjermania, Islanda, Bosnja dhe Hercegovina*, Ukraina*, Danimarka*, Suedia*, Rusia, Austria, Uellsi, Republika Çeke.
Vazo 3: Sllovakia, Turqia, Republika e Irlandës, Irlanda Veriore, Skocia*, Norvegjia*, Serbia*, Finlanda*, Bullgaria, Izraeli.
Vazo 4: Hungaria, Rumania, Greqia, SHQIPËRIA, Mali i Zi, Qipro, Estonia, Sllovenia, Lituania, Gjeorgjia*.
Vazo 5: Maqedonia*, KOSOVA*, Bjellrusia*, Luksemburgi, Armenia, Azerbajxhani, Kazakitani, Moldavia, Gjibraltari, Ishujt Faroe.
Vazo 6: Letonia, Lihtenshtajni, Andorra, Malta, San Marino.
Shtetet me shenjën * mund të kualifikohen në UEFA EURO2020 edhe përmes Play Off-it të Ligës së Kombeve, pasi që janë shtete që i kanë fituar grupet e tyre në Ligën e Kombeve.
Pra, secili grup i fazës kualifikuese do ta përmbajë nga një skuadër prej secilës vazo, dhe sipas vazove, mund të shihen kundërshtarët e mundshëm të Kosovës dhe Shqipërisë.
55 shtetet e lartpërmendura do të ndahen në gjithsej 10 grupe. 5 grupe do të kenë nga 5 skuadra (grupet A-E), kurse 5 grupe të tjera do të kenë nga 6 skuadra (grupet F-J). Ndeshjet eliminatore do të luhen në periudhën mars 2019 - nëntor 2019.
Nga 10 grupet, dy vendet e para të secilit grup do të kualifikohen për kampionatin evropian, kurse 4 skuadrat e fundit që kualifikohen për në Kampionat Evropian do të përcaktohen nga Play Off-i i katër ligave (A,B,C,D) të Ligës së Kombeve.
Siç dihet, Kampionati Evropian i vitit 2020 do të mbahet në 12 shtete të ndryshme.