SHPRESA
Kukësi mbrohet heroikisht, për disfatë minimale
3 July, 2014 @18:25
Nënkampioni i Shqipërisë, Kukësi, ka pësuar një gol në minutën e parafundit të takimit në Kazakistan për tu mposhtur 1-0.
Goli i minutës së parafundit
Ndeshja e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Europa League, ka kaluar në shenjë të vendasve, të cilët kanë dominuar në të shumtën e kohës dhe kanë pasur rastet e tyre, duke arritur të shënojnë golin e tyre të vetëm në minutën e 89-të të takimit pas një korneri të kroatit Josip Knezevic, kur zëvendësuesi Aslan Darabaev ka shënuar për epilogun e ndeshjes.
Mbrojtja heroike
Kukësianët kanë pasur vetëm tre goditje drejt portës së kazakëve, por asnjëherë në kornizë, derisa vendasit kanë goditur 15 herë, 6 prej të cilave është dashur t’i intervenojë portieri Argent Halilaj, para se të pranojë golin e vetëm në ndeshje.
Kosovarët
Në Europa League ka debutuar edhe ish lojtari i Drenicës, Kushtrim Lushtaku që ka qenë në fushë nga minuta e parë e ndeshjes, derisa kosovarët standard, Ylli Hoxha dhe Besar Musolli kanë luajtur 90 minuta të plota. Lushtaku u zëvendësua 4 minuta para fundit të ndeshjes nga trajneri Agim Canaj me brazilianin Pericles.
Kthimi
Me këtë disfatë, Kukësi ka shpresa për kualifikim në ndeshjen e dytë që do të zhvillojë një javë më vonë në Shqipëri, saktësisht në Tiranë. Shpresa ka, pas ndeshjes që Kukësi në çdo mënyrë ka mbrojtur portën që të mos pësojë disfatë më të thellë. E shtylla e goditur nga Sokol Cikalleshi kah minuta e 70-të e ndeshjes, dridhi Kairatin e favorizuar - që do të tentohet të eliminohet nga të kaltërit në ndeshjen e kthimit.