SHQIPËRI & KOSOVË
Kupa Shqipëri & Kosovë, detaje nga ideja
14 January, 2020 @15:28
Duket se po punohet në krijimin e një Kupe të përbashkët mes klubeve të futbollit nga Kosova dhe Shqipëria.
TopChannel sot ka raportuar që grupi i punës i krijuar nga FSHF dhe FFK po kryen llogaritjet dhe po e kompleton idenë e krijimit të kësaj kupe, ndërkohë që raportohet se janë llogaritur 734 mijë euro për t’iu shpërndarë klubeve për të gjitha ndeshjet që do t’i luajnë, marrë parasysh shpenzimet e transportit, akomodimit dhe gjithçka që përfshihet në organizimin e ndeshjeve sipas standardeve.
Për secilën ndeshje të fazës eliminatore janë parashikuar nga 3500 euro për skuadër dhe nga 4000 për fazën finale. Më pas, 32 ekipet që marrin pjesë në fazën finale do të përfitojnë nga 5000 euro shpërblim vetëm për pjesëmarrjen.
Sipas parallogaritjeve, ekipit fitues, i cili do arrijë të kalojë të gjitha fazat duke marrë shpërblimet përkatëse, për fitimin e trofeut do përfitojë në total një shumë prej 150 mijë eurove.
“Sa i përket zhvillimit të aktivitetit është menduar që gjithçka të fillojë për kategorinë e parë dhe të dytë në muajt mars-qershor 2020. Duke e ndarë në faza, e para do të ketë 40 ndeshje, faza e dytë 20 ndeshje po me sistem vajtje ardhje, ndërsa faza e tretë 10 ndeshje duke mbyllur në total 6 javë të fazës eliminatore.” - shkruan TopChannel.
Më pas, gara parashikohet të vazhdojë nga muaji shtator në fundjavat kur ekipet janë në pushimin e kombëtareve.
Për fazën e parë të finaleve është parashikuar që të zhvillohen 16 ndeshje, për fazën e dytë 8 ndeshje dhe për fazën e tretë 4 ndeshje. Më pas, për t’u luajtur mbeten dy ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e madhe, e cila nuk është përcaktuar nëse do të luhet në Tiranë apo Prishtinë.
Aktiviteti në total do të kushtojë 1.5 milion euro, shifër që të dyja federatat do të përpiqen ta sigurojnë nga shtetet përkatëse për të paktën 5 vite, duke mbuluar vitë pas viti vetëm pjesën që vetë organizatorët nuk arrijnë ta mbulojnë me të ardhurat e gjeneruara gjatë garave.