Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

Analizë: 2019/2020

La Liga 2019/2020 - Parashikim

La Liga 2019/2020 - Parashikim


Shkruan: Luan MORINA

16 August, 2019 @13:28

A ka kush që do të mund të ndalë Barcelonën? Me ardhjen eventuale të Neymar, askush. Lëre në Spanjë, por as në Evropë.

Sigurisht që me ardhjen e tij dhe gatishmërinë për të heqë dorë nga 15 milionë euro në pagën vjetore (nga 38 milionë sa merr në PSG në 23 milionë), buxheti i Barcelonës për paga të lojtarëve do të shkoj lart mbi 70%, por kush do të brengoset për FFP?! Sigurisht jo UEFA, nga e cila po shpëtojnë edhe PSG edhe Manchester City, e sigurisht që edhe Barcelona.

Paramendojeni sulmin Neymar, Griezmann, Messi, e Suarez! Pini një gotë ujë tash!

Për pozitën e dytë do të duhej të luftonin Atletico dhe Reali. Të parët kanë bërë biznes mbresëlënës këtë verë, por gjithçka varet tek gatishmëria e Simeones për të meremetuar filozofinë e tij defensive. Tashmë ka kohë që ideja për të ‘qitur nga takti’ lojtarët kundërshtarë, sidomos të Barcelonës nuk funksionon. Me Realin disi e ka pasur pak më lehtë falë gjaknxehtësisë së Ramosit ndoshta. Por, kjo ide e realizuar me një mbrojtje të ngjeshur dhe lojë të ashpër ka sjellë vetëm një titull të La Ligës dhe një SuperKupë të Evropës. Në një ligë ku janë Barcelona dhe Reali mund të duket sukses, por nuk është kur dihet kualiteti i lojtarëve që kanë pasur.

Në anën tjetër, Reali i Madridit mund të ketë një sezon katastrofë me Zidane. Francezi është kthyer si fitimtar në luftën e ftohtë me Perez, por mund të dalë si humbës më i madh para se të përfundojë sezoni. Me ardhje të cilat duken të jenë më shumë të përqendruara në talent se në përvojë, problemet me Bale, dhe paaftësinë për të konkurruar në tri fronte përkundër thellësisë të ekipit (por jo të kualitetit) mund ta sjellin dikë tjetër në krye të Realit para pranverës. Një titull i Champions është i pamundur. Një titull i La Liga edhe më i pamundur. Në Copa zakonisht bien ose nga ndonjë Tenerife ose nga Barcelona! Të jemi real, Reali nuk janë të kompozuar për tituj. Ndoshta ju mungon Cristiano. ‘Ndoshta’!

Një apokalips tek Reali mund të rezultonte edhe me thyerjen e treshes, falë Sevillas e Valencias. Andaluzianët kanë bërë ndryshime të mëdha me rikthimin e Monchit dhe varet si do të rehatohen nga Lopetegui. Përfundimi i sezonit mbi Realin do të ishte një fitore jetësore e tij. Ndërkohë Valencia ka provuar të prek pak figura, por të rëndësishme në ekip. Mbetet i vetmi ekip tjetër që duhet të luftoj për Top4. Betis, Villarreal, e Getafe duhet të jenë andej në zonën e Europa League pa përjashtuar Espanyolin dhe baskët e Sociedad e Bilbaos.

Për mbijetesë do të luftojnë Mallorca, Levante, e Leganes, me Osasuna e Granada tashmë të ‘përjashtuara’ nga kjo luftë si ekipe me shanset më të mëdha për të mos qenë pjesë e La Ligës sezonin e ardhshëm.

E në La Liga sezonin e ardhshëm duhet të jenë ende Alaves, Eibar, Valladolid dhe Celta. Këta të fundit duhet të konkurrojnë për Top10 në fakt, gjersa verë interesante ka qenë tek Alaves. Eibar e Valladolid mund të zhyten papritmas në luftë për mbijetesë, ndonëse nuk i shoh në mesin e tri ekipeve më të dobëta në ligë.

Janë edhe pak më shumë se dy javë deri në fund të afatit të transferimeve. Neymar shumë lehtë mund të përfundojë në Real Madrid (nëse PSG merr ofertë të mirë dhe mban inat me Barcelonën, ndonëse shumë gjasa të vogla ka për këtë). Madrilenët mund të zbrazin xhepin për Pogban, Eriksen, dhe një autobus lojtarësh që janë të lidhur me ta. Ka pasur një lëvizje dominosh të sulmuesve në ekipet tjera të La Ligës, kështu që mund të kemi edhe më shumë ndryshime në repartin ofensiv të këtyre ekipeve, të cilat do të shpresojnë të maten kundër Barcelonës e Realit me shpresë për të arritur Evropën dhe njohje ndërkombëtare të markës së tyre.

La Liga do të vazhdojë të karakterizohet me një lojë të kujdesshme, të rezervuar, të mbimenduar, dhe mbi të gjitha defensive kundrejt dyshes së madhe. Një e mirë është që s’do të ketë më ndeshje të hënave.


 
Të gjitha lajmet nga La Liga