FERIZAJ

Largohet Abazi
31 May, 2014 @15:30
Ferizaji që gjindet në pozitën e tretë të Superligës dhe mund të përfunojë stinorin në këtë pozitë në rast se nuk humb nga Trepça’89 në xhiron e fundit, që luhet aktualisht, ka larguar trajnerin Arsim Abazi nga detyra.
Deklaratat nëpër media dhe mosmotivimi i lojtarëve në xhirot e fundit të Superligës, thuhet të kenë qenë arsyet e largimit të tij, ka njoftuar klubi bardhekaltër, derisa trajneri Abazi ka thënë se në fakt arsyet kanë qenë qesharake.
“Së pari më kanë thënë se nuk kam mundur t’i mbrojë lojtarët e mi që paskan kurdisur lojë dhe së dyti, që e paskam dërguar futbollistin Qëndrim Dautaj për operim në Shkup!” ka thënë trajneri i deritashëm i Ferizajit, njofton Sport Plus në numrin e sotëm.
Ferizaji në xhiron e fundit ndeshet me Trepçën’89 dhe me çdo pikë të fituar në ndeshje do të mbetet në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit, derisa mitrovicasve iu duhet fitorja për të përfunduar në vendin e tretë të Superligës.
Në xhiron e fundit të Superligës, Ferizajin do ta drejtojë ndihmës trajneri, Xhelal Koxha.