HAJVALIA - TREPÇA '89
Lideri fiton bindshëm, kalon në çerekfinale
18 February, 2017 @14:25
Në një ndeshje pa shumë histori, lideri aktual i Superligës, Trepça ‘89, ka shënuar fitore të lehtë ndaj Hajvalisë në Kishnicë, për t’u kualifikuar kështu në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Ndeshja e zhvilluar sot ishte e para për ‘89-shin nën drejtimin e trajnerit Zekirja Ramadani, i cili erdhi pas përfundimit të sezonit vjeshtor.
Mitrovicasit fuqinë e tyre e treguan me të filluar takimi, duke shënuar dy herë brenda 10 minutave. Fillimisht epërsinë e solli Fiton Hajdari në minutën e 4’, kurse më pas për 2-0 shënoi Oto John pas asistimit të Shpëtim Idrizit.
Rastet e volitshme për ‘xehetarët’ vazhduan edhe në vazhdim të takimit, ndërsa disa mundësi të shkëlqyera për gol u shpërdoruan nga Florent Hasani e Oto John, të cilët gabuan para portës kundërshtare disa herë. Goli i tretë që e vulosi fitoren dhe kualifikimin u shënua nga Fiton Hajdari, i cili e shënoi golin e dytë personal në këtë takim.
Kur ndeshja veçse kishte përfunduar, mitrovicasit e gjetën edhe golin e katërt, gol i cili u shënua me kokë nga Florent Hasani pas krosimit nga Arbër Potoku.
Duhet përmendur që në këtë takim për ‘89-shin debutoi edhe Hasan Hyseni, lojtari i ardhur nga skuadra ‘fqinje’ e Trepçës.