NGA KONFERENCA
Liga e Kombeve është tjetër, po zhvillohemi
29 May, 2018 @22:22
Në konferencën për shtyp, pas fitores së Kosovës ndaj Shqipërisë, Bernard Challandes i është përgjigjur pyetjeve të shtruara nga gazetarët e pranishëm.
Në pyetjen e bërë nga Borozani.com se a ka shpresa për Kosovën në kuadër të Ligës së Kombeve pas një ndeshjeje si kjo, Challandes ka thënë:
“Përkundër që ishte ndeshje përgatitore, unë jam i kënaqur me rezultatin. Por, nuk mund të them se kjo fitore i shton gjasat për Ligën e Kombeve,” ka thënë fillimisht Challandes.
“Qëllimi është të punojmë dhe të zhvillojmë ekipin, pastaj kualifikimi. Ka qenë kombinim i mirë i mbrojtjes me sulmin. Ne duhet të luajmë si skuadër, 11 lojtarë në mbrojtje, pastaj edhe në sulm,” ka shtuar Challandes.
“Mos të harrojmë, tranzicioni është kryesor. Krejt duhet të luajmë për ekipin. Edhe Manchester City kur ka nevojë luan me 11 lojtarë në mbrojtje, pastaj dalin në sulm të gjithë,” ka qenë përgjigjja e selektorit Challandes.
Përndryshe, zvicerani që ka shënuar tre fitore me Kosovën në tre miqësoret e fundit, ka bërë të ditur gjithashtu se ekipi ka ditur të shfrytëzojë rastet e paraqitura. E ka vlerësuar si ndeshje më e mirë e luajtur e ekipit, prej se ai është në bankën e Kosovës. “Por, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi që sot motivi ka qenë i madh për shkak se kemi luajtur ndaj vëllaut të madh.”