KOLUMNE
Rishikim Sezoni – Atletico Madrid
Shkruan: LUAN MORINA
29 May, 2018 @17:00
Barazimit ndaj Leganesit, Gironës, Qarabagut kanë shkatërruar sezonin e Atleticos së Madridit këtë vit. Dhe të gjitha këto kanë ardhur në pjesën vjeshtore të sezonit, në pjesën e parë të së cilës Griezmann skuqej e agjëronte me gola (vetëm tre në tre muajt e parë), e Carrascos i ndërpritej seria me lëndime. Ende nuk ka kuptim transferimi i Carrascos në Kinë! Një teori më arsyeshme që është përmendur ka qenë shkëmbimi i aksioneve të pronarëve kinez me kartonët e Carrascos dhe Gaitanit.
DËSHTIMI NË FILLIM
Lëndimet kanë ndjekur ‘atleti’-t gjatë tërë sezonit. Mungesa në krahët e mbrojtjes, herë Juanfran e herë Felipe Luis, lëndimi i Kokes, dhe suspendimet e vazhdueshme si pasojë e lojës, si zakonisht, të ashpër të ekipit të Simeones, kanë qenë arsye shtesë për dështimin e fillimit të sezonit krahas bllokadës së transferimeve.
40 PLUS
Kjo bllokadë ka ndikuar që mesfusha të jetë pothuajse e pandryshueshme. Thomas, i cili është angazhuar edhe në krahë të mbrojtjes, Saul, Koke, Correa, e edhe veterani Gabi kanë pasur mbi 40 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni që krahasuar me ekipet dhe repartet tjera janë stër-ngarkesë duke pasur parasysh edhe kufizimet në zëvendësime të cilat për shkak të dendësisë së pamjaftueshme të ekipit kanë munguar shpesh.
GRIEZMANN, LIDER APO JO?
Griezmann ka bartur ekipin, por jo aq shumë sa është pritur. Nuk ka qenë një lider i vërtetë, së paku jo në opinionin tim, gjatë momenteve më të vështira. E mbyll sezonin si golashënuesi më i mirë, por shumica e tyre kanë ardhur me shumicë në disa ndeshje, derisa kanë munguar në periudha të gjata kohore, e edhe në ndeshjet kryesore – ndaj Realit e Barcelonës.
COSTA + VITOLO
Ardhja e Costas dhe Vitolos në janar nuk ka pasur ndoshta atë efektin e pritur. Sulmuesi spanjoll më shumë ka marr kartonë të verdhë se sa që ka shënuar gola, gjersa Vitolo ka qenë opsion i mirë në krah, por jo sa Correa për shembull.
FINALJA E RADHËS
Largimi i Torresit vjen në kohë të duhur. Nuk besoj që kanë nevojë për sulmues nëse nuk largohet Griezmann. Edhe ashtu një gjysmë-sulmues do të ishte i mirëseardhur, nëse nuk kalojnë në 4-4-2 klasik me dy sulmues, apo nuk kthehen në 4-2-3-1. Ardhja e Rodrit nga Villarreal është një nga veprimet më mençura të këtij afati ende të pafilluar mirë të transferimeve. Çështja e Jose Gimenez do të duhej më herët, e edhe ashtu një qendërmbrojtës është i nevojshëm për ‘atleti’. Nëse arrijnë të mbajnë Oblakun, i cili është ndër tre portierët më të mirë në botë për momentin, padyshim më i nënvlerësuari, do të jetë një sezon ngazëllues për Atleticon. Sidomos me faktin që finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në stadiumin e tyre. Mision i pamundur? Aspak!