BERNARD CHALLANDES
Shqipëria ka shumë përvojë
28 May, 2018 @23:10
Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Shqipërisë që zhvillohet nesër në Zurich, ka thënë se kuqezinjtë janë shumë më me përvojë sesa Kosova.
“Vetëm Mërgim Mavraj ndoshta ka më shumë ndeshje ndërkombëtare sesa e gjithë skuadra ime, përjashto në këtë rast Samir Ujkanin. Do të jetë sfidë e madhe për ne,” ka thënë Challandes, në konferecën e sotme për shtyp.
Ndër të tjera ai ka theksuar se kjo ndeshje do të shërbejë si përgatitje për përballjet e shtatorit në Ligën e Kombeve.
“Kjo do të jetë një ndeshje e veçantë, brenda familjes. Vëllai i vogël ndaj vëllait të madh. Do të luajmë me një skuadër të fortë dhe për ne është e rëndësishme të përgatitemi për Ligën e Kombeve,” ka shtuar Challandes.
Ndërkaq, i pyetur për futbollistët e rritur në diasporë, për të cilët po lufton edhe Kosova edhe Shqipëria, Challandes ka qenë i qartë, por edhe i thjesht në përgjigje.
“Konkurrenca me Shqipërinë është një problem i vogël për mua. Chrisitian Panucci i kërkon lojtarët e mirë për Shqipërinë, e unë për Kosovën. Për mua, si trajner i Kosovës është me rëndësi të bëj gjithçka për të bindur futbollistët të luajnë për Kosovën, njejtë sikurse edhe Panucci për Shqipërinë,” ka thjeshtëuar dilemën zvicerani.
Kosova - Shqipëria luajnë më 29 maj 2018 me fillim në ora 20:00 në Zurich, ku thuhet të jenë shitur një numër i madh i biletave.