KUPA E KOSOVËS
Prishtina fiton Kupën pas penalltive
27 May, 2018 @18:40
Prishtina ka përfunduar stinorin me trofe. Pas 90 minutave të kaluara në ndeshje me rezultat të barabartë, 1-1, bardhekaltërit kanë shënuar fitore përmes penalltive ndaj Vëllaznimit të Gjakovës, pasi që as në vazhdime nuk u tundën rrjetat.
Bardhekaltërit janë stolisur me trofe pas dy vitesh! Kanë qenë penalltitë e finales së Kupës, që Prishtinës ia kanë sjellë trofeun e Kupës, të njejtën të cilën e fituan edhe për herë të fundit kur mposhtën Dritën 2-1 në stadiumin e tyre vite më parë.
Yll Myrta i Vëllaznimit ka qenë njeriu i pafat i ndeshjes, pasi që vetëm ai ka dështuar të shënojë nga seria e penalltive sot, dhe kjo bëri që pas 120 minutave ndeshje 1-1, Prishtina të fitojë pas penalltive 5-4.
Sa i përket ndeshjes, në disa raste Vëllaznimi ka pasur tentime më shumë drejt portës së Visar Bekajt. Por shtërpësia e sulmit gjakovar dhe lodhja nga 120 minutëshi dhe penalltitë e tre ditëve më parë nga dueli i barazhit, si duket ndikuan.
Basit Khalid i dha epërsinë Prishtinës në pjesë të parë të ndeshjes, pas asistimit të malazezit Drasko Bozovic. Ekipet kështu shkuan në pushim dhe kur dukej se lodhja po mbizotëron ekipin gjakovar, që drejtohej nga Haxhi Kurhasku pas largimit të Gani Sejdiut, ka qenë Dardan Rogova që befasoi, duke shënuar pas gabimit të portierit Visar Bekaj.
90 minutat e ndeshjes u mbyllën me rezultat 1-1, ndërsa në vazhdime përpos disa tentimeve nga largësia, nuk kishte ndonjë rast që ia vlen të përmendet dhe ekipet bëheshin gati për penallti.
Në fund, Prishtina dhe Mirel Josa kanë festuar, kurse Vëllaznimi nuk arriti Kupën as si ngushëllim për rënie nga Superliga.
PENALLTITË:
VËLLAZNIMI | PRISHTINA | ||
Lekë VULA | GOL | GOL | Diar MIFTARAJ |
Egzon GASHI | GOL | GOL | Drasko BOZOVIC |
Jeton DUSHI | GOL | GOL | Ahmed JANUZI |
Yll MYRTA | shtylla | GOL | Ergyn AHMETI |
Besnik KRASNIQI | GOL | GOL | Arbër HOXHA |