TRAJNERI I PRISHTINËS
Josa: Pa presion, por e duam Kupën
26 May, 2018 @17:52
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, që është bërë nënkampion i Kosovës në stinorin e parë të tij në Superligë të Kosovës, nesër do të paraqitet në finale të Kupës me ekipin bardhekaltër dhe pret që të fitojë trofeun e parë prej se arriti në Prishtinë.
Prishtina luan ndaj Vëllaznimit nesër në përballjen që zhvillohet në “Adem Jashari” ndërsa loja nis në ora 16:00. Bardhekaltërit kanë siguruar daljen në Europa Ligë, prandaj nuk kanë ndonjë presion tjetër për këtë përballje.
“Të them të drejtën neve na intereson fitimi i Kupës, sepse fundi i fundit është një trofe për t’u fituar. Nuk do të thotë që luajmë me një skuadër që para pak ditësh ra nga Superliga, sepse edhe ajo skuadër do të vijë të luaj dhe ka qëllimet e veta dhe mua këso situata më kanë qëlluar edhe më përpara dhe ka ardhur puna që skuadra që nuk ishte favorite e ka fituar Kupën. Kupa është një kompeticion që luhet 50-50. Unë ua bëra të qartë lojtarëve që nuk varet e ardhmja e tyre nga ndeshja e Kupës, sepse fundja e fundit secili nga ta e ka treguar se çfarë ka qenë deri tani,” ka thënë Josa për faqen zyrtare të Prishtinës.
Vëllaznimi në anën tjetër, ditë më parë ka humbur ndeshjen e barazhit dhe ka rënë nga Superliga. Ekipi kuqezi nga Gjakova stinorin tjetër do të garojë në Ligë të Parë, mirëpo kjo nuk e bën aspak më të dobët interesin e tyre për të fituar trofeun e Kupës, që ka shpërblim disa mijëra euro për fituesin.