BARAZH: RAHOVECI - ISTOGU
Istogu kthehet në Ligë të Parë, Rahoveci bie
28 May, 2018 @19:00
Istogu është rikthyer në Ligën e Parë, pasi një viti qëndrim në Ligën e Dytë, pasi në ndeshjen e barazhit e ka mundur skuadrën e Rahovecit, pas penalltive, me rezultat 4:3, ngase në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve ndeshja u mbyll pa gola.
Ndeshja e këtyre dy skuadrave u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në praninë e një numri të konsiderueshëm të tifozëve të të dyja ekipeve.
Të dyja palët treguan një lojë të kujdesshme, me raste të pakta shënimi. Mundësitë më të mira për Istogun i patën Malësor Blakaj, në minutën e 41-të kur gjuajti furishëm, por portieri Arianit Kuqi, nuk lejoi që topi të shkojë në rrjetë.
Ndërkaq, në minutën e 60-të Rahovecin e shpëtoi tërthorësja pas gjuajtjes së Alban Musollit.
Në anën tjetër, Rahoveci pati dy raste nëpërmjet Bajram Kërndalit, në minutën e 76-të, kur nga 7-8 metra gjuajti mbi portë, si dhe në minutën e 103-të, kur Hamid Mullaabazi gjuajti në mënyrë akrobatike, por portieri Dardan Podrimaj reagoi edhe më mirë.
Në gjuajtjet e penalltive më efikas u treguan futbollistët e Istogut, duke shënuar katër nga pesë gjuajtjet, derisa rahovecasit dështuan në dy gjuajtje.
Për Istogun shënuan A.Dreshaj, N. Prekaj, E. Çeta dhe A. Musolli, derisa M. Blakaj qëlloi tërthorësen, derisa te Rahoveci shënuan L. Brahimaj, B. Kërndali e H. Merxha, kurse gjuajtjen e A. Berishës e priti portieri Podrimaj, derisa në gjuajtjen e fundit dhe vendimtare, H. Mullaabazi gjuajti mbi portë.