KOLUMNE
Rishikim sezoni – La Liga
Shkruan: LUAN MORINA
28 May, 2018 @23:24
Prej xhiros së dhjetë në La Liga, vetëm dy ekipe kanë ndryshuar rezultatin në fund – Betisi që ka siguruar Europa League dhe Deportivo Alaves që siguruan mbijetesën. Katër të parat, dy të fundit, dhe dy ekipet që siguruan Europa League nuk kanë ndryshuar që nga atëherë.
GIRONA, BEFASIA E KËNDSHME
Megjithatë, në ato dhjetë xhirot e para, e edhe në pjesën e mbetur kanë qenë disa lëvizje të papritura për të mirë e për të keqe të ekipeve. Girona ka qenë befasia më e këndshme e sezonit. Nën udhëheqjen e Portus, me Stuanin e rikthyer nga Premier League, dhe Maffeon i cili u largua për në Stuttgart, Girona arriti të lejoj vetëm dy pikë Atleticos, derisa mposhti Realin si vendas. Pozita e dhjetë në fund është një pasqyrë e drejtë për ekipin e Pablo Machin, i cili tani është ndër emrat më të kërkuar në Spanjë.
GETAFE, MË MIRË
Edhe më mirë ia doli Getafe që ishte pranë Evropës në fund, ndërsa Eibari përsëri sfidoi pritjet duke mbetur në dhjetëshen e parë. Kjo renditje e dhjetëshes së parë la në pozita të pa-lakmueshme dy ekipet baske – Athleticun dhe Sociedadin. Që të dyja ishin të dëmtuara edhe me angazhimin në Europa League, e cila si gjithnjë ekipeve me skuadër jo mjaft të dendur u lë pasoja. Tek Athleticu ndikoi edhe numri i madh i lëndimeve.
MALAGA, JOSERIOZE
Nëse mund të hedhim një trajektore tek e përbashkëta e ekipeve që bien nga kategoritë kryesore nëpër Evropë është se pjesa dërrmuese e ekipit është e përbërë prej lojtarëve të huazuar. Malaga kishte tërë repartin e sulmit të huazuar, e nuk ishin mirë as me lëndime. Jo-serioziteti në përbërjen e ekipit i dërgon në LaLiga 123 nga një ekip gjysmë-finalist i Ligës së Kampionëve. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me Deportivo La Corunan, e cila për dallim prej Malagas, në dimër kishte sjell Muntarin dhe Krohn-Dehlin, dy veteranë të cilët me gati moshatarin e tyre Clarence Seedorf nuk arritën të mbanin gjysmë-finalistët tjerë të Ligës së Kampionëve në LaLiga. Las Palmasi dy golashënuesit më të mirë i kishte të huazuar, me Remyn e larguar në janar. Që të tri ekipet, jo vetëm në tabelë ishin në distancë nga shtatëmbëdhjetë ekipet e tjera.
FATI I BETISIT
Betisi mund të ketë fatin e Sociedadit e Athleticut nëse nuk investojnë në ekip gjatë verës. Kanë pasur një sezon të shkëlqyeshëm përkundër lëndimit afatgjatë të Sanabrias. Prurjet e verës së kaluar kanë funksionuar për merak, sidomos Sergio Leon e Cristian Tello. Bartra ka ardhur në janar për të shkarkuar barrën nga Mandi e Feddal, gjersa Junior, Ruiz, e Camarasa janë treguar si talente me të ardhme të ndritur tek të gjelbrit e Sevijës.
ESPANYOLI DËSHPËRIM
Dëshpërim ka qenë ndoshta sezoni i Espanyolit, të cilët vitin e kaluar për pak munguan nga Evropa. Largimi i Quique Sanchez Flores zor që mund të këndell ekipin për sezonin e ardhshëm, ku pres edhe Celta të zhytet në luftë për dhjetëshen e parë.
ALAVES DHE ABELARDO, SHPRESË
Ekipi më mbresëlënës pas Betisit, duhet të jetë Deportivo Alaves. Abelardo ka ngjallur si ekip duke i ngjitur nga zona e LaLiga123 deri në pozitën e dymbëdhjetë. Rezultatet e Alavesit ndoshta mund të jenë edhe frymëzim për ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve nëse gjërat nuk funksionojnë. Ndërrimet e shpeshta kanë kryer punë këtë sezon edhe tek Sevilla.
MONTELLA
Sevilla ka pasur sezonin më të keq me marrjen e Montellas, i cili nuk është trajner i dobët, por erdhi në një kohë të keqe në karrierën e tij, edhe nuk pati shumë kohë për të stabilizuar ekipin në një ligë krejt të re për të. Villarreali është ekipi që do të duhej të bënte shumë më tepër me përbërjen, me mesfushën që ka. Disa nga talentet më të mëdha në futbollin spanjoll, me Rodrin që tashmë është larguar tek Atletico, Villarreal ka bartur pasojat e lëndimeve në mbrojtje dhe paqartësisë së sulmit.
VALENCIA
Valencia kthehet më në fund aty ku e ka vendin. Transferime të qëlluara, lojë goxha të mirë në krahasim me vitet paraprake, meritojnë kualifikimin në Champions. Për tri ekipet tjera do të jenë analizat e veçanta.
E La Liga, këtë vit ka shkuar duke u përmirësuar, ani pse siç e ceka më lartë, frontet janë përmbyllur pothuajse në çerekun e parë të sezonit.