KOLUMNE
Rishikim Sezoni – Real Madrid
Shkruan: LUAN MORINA
28 May, 2018 @23:41
Ky Real është më i madh se galaktikët!
Jo vetëm për kah suksesi, por katër tituj në pesë vite, tre nga ta rresht, në këtë periudhë të miliardave në futboll, pa shpenzuar çerek miliardi në katër vite sa shpenzon një ekip në një lojtar të vetëm, me një trajner fillestar, është diçka e pabesueshme! Dhe ja që po ndodh.
A MUND TË VAZHDOJNË?
A mund të vazhdojë? Jam skeptik, ngjashëm sikur verën e kaluar. Por, për dallim nga vera e kaluar, mendoj që Reali nuk duhet të rrijë duarkryq në tregun e verës. E vërtetë që rrugës për tek titulli i trembëdhjetë kanë eliminuar tre kampionë të pesë ligave më të mëdha në Evropë, por ka shumëçka për t’u përmirësuar tek ky ekip.
Humbje nga Leganesi, Espanyoli, Girona, Betisi, eliminim nga të parët në Kupën e Mbretit, barazime me Celtën, dy me Levanten, nuk janë rezultate të denja për një ekip kampionësh. Kishin nisur sezoni për mrekulli me fitore të dy Superkupave, kishin kaluar nëpër vrimën e gjilpërës në Kupën e Botës për Klube, për të demoluar PSG, Juventusin, Bayernin, e Liverpoolin deri tek titulli i trembëdhjetë i më të mirit të Evropës. Nuk mund të themi që nuk kishin edhe fat rrugës, sidomos në ndeshjet me Bayernin dhe Liverpoolin. Dhe nëse nuk merret parasysh ky fat, atëherë gjërat mund të mos funksionojnë kaq lehtë vitin e ardhshëm.
KROOS-MODRIC-CASEMIRO
Reali është shumë lehtë i lëndueshëm në kundërsulme. Por, problemi për të arritur tek këto kundërsulme qëndron tek mesfusha Kroos-Modric-Casemiro. Braziliani ka pasur një sezon më të mirë në krahasim me të kaluarit, dhe krejt kjo vjen duke e vendosur në pozitë më shkatërruese. Kam pritur që Ronaldo të zhvendoset në pozitën e qendërsulmuesit, por më shpesh ka funksionuar si gjysmësulmues sidomos me Iscon në lojë. Ekipi i parë ka, dhe mund të thellohet, mungesa e motivimit.
Tre tituj të Evropës kërkojnë shpirt të ri luftarak në ekip. Dhe ky shpirt nuk do të jetë as nga Vallejo, Hakimi, Lorrente, e Ceballos. Derirsa talenti tek secili nuk mungon, pjekuria e tyre do të ishte më se e nevojshme në sezonin vijues. E kemi edhe Kovacicin i cili ende nuk po arrin atë nivelin e të rregulltit në Real. Ngjashëm mund të themi edhe për Asension. As ai me Iscon nuk janë ende në pozitën për të luajtur 50 ndeshje në sezon.
PËRVOJA
Lëndimet e Bale, Navas, Ramos, e Kovacic kanë lënduar ekipin në faza të ndryshme të sezonit, e edhe më shumë ka qenë paqartësia në lidhje me shëndetin e Carvajal. Hakimi nuk ka qenë i gatshëm për të veshur këpucët e tija në pozitë ne krahut të djathtë, e Nacho Fernandez nuk ka kualitetin për të qenë një mbrojtës i gjithanshëm, aq më pak tek Reali i Madridit.
E për verë, nevojiten emra me përvojë, të gatshëm për të mbuluar lodhjen eventuale të ekipit të parë. Ka emra të mjaftueshëm si në Spanjë, ashtu edhe jashtë saj, por një revolucion i çmendur do të hidhte bazën për një ekip me të ardhme afatgjate.
ÇKA DUHET BLERË?
Një portier, një mbrojtës, një sulmues, janë nevoja të pakontestueshme tek Reali.
Por, deklaratat e Bale dhe Ronaldos kanë vënë në alarm të ardhmen. Më shumë janë ndoshta gjëra mediale se sa njëmend të kenë menduar diçka të tillë, megjithatë mund të shfrytëzohen si karrem të mirë.
KOMBINIMET
Largimi i Bale e Ronaldos mund të shkonte në dy drejtime – Manchester United ose PSG. Të dy mund të ndërroheshin me Pogban të cilin United do ta shiste; dhe me Neymarin i cili do të largohej me qejf nga PSG, ndoshta. Icardi nga Interi mund të ishte shok i mirë i Benzemas në sulm, ngjashëm sikur Lewandowski. S’besoj se francezi mund të largohet. Pogba do të kryente punë të mirë në mesfushë për moshën e Modricit. E ide e mirë, e lirë, dhe me plotë përvojë është kush tjetër pos Yaya Toure, i cili ende mund të kontribuoj me gjysmë ore në fushë. Do të jetë verë interesante tek kampionët e Evropës.