KOSOVA - SHQIPËRIA
Kosova magjike, kokëdhimbje Panuccit
Nga Zurichu/ G. P.
29 May, 2018 @21:44
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka mbajtur leksion futbolli Shqipërisë sot në Zurich.
Përkundër se ishte miqësore dhe trajnerët e kishin marrë këtë ndeshje si eksperimentale, rezultati prej tre golash epërsi, 3-0 dhe loja e treguar në fushë, ka folë bindshëm në të mirë të Kosovës, që ka shënuar dy herë përmes Arbër Zenelit dhe një tjetër nga Edon Zhegrova.
Besar Halimi ka qenë ndër më të dalluarit në fushë te Kosova, derisa Arbër Zeneli me goditjet e tij ka mposhtur dy herë Etrit Berishën nga tre tentime që shkuan në portën kuqezi.
Kosova i ka shkaktuar humbjen më të thellë Shqipërisë në kohën e Christian Panuccit, duke e barazuar me humbjen 3-0 nga Spanja, në ndeshjen e parë të italianit në krye të kuqezinjëve.
18 mijë e 700 shikues zyrtarisht kanë qenë në këtë përballje që kaloi në atmosferë festive në Zurich, derisa në fushë Bernard Challandes vazhdoi me lojëra të mira dhe me fitore për Kosovën.
Përndryshe, kjo është fitorja e katërt me radhë e Kosovës në miqësore, prej se u largua Albert Bunjaki nga reprezentacioni.
Pas përfundimit të kualifikimeve, Kosova mposhti Letoninë 4-3, Madagaskarin 1-0, Burkina Fason 2-0 dhe sonte Shqipërinë 3-0.