KUPA e KOSOVËS 1/16 E FINALES
Liria bën befasinë e radhës në Kupë, eliminon lideren e Superligës
23 November, 2022 @16:18
Skuadra e Ligës së Parë Grupi A të Kosovës, Liria, që shkoi sot si mysafir në Gjilan për tu ndeshur me Dritën në kuadër të 1/16 të Kupës së Kosovës, ka përgatitur një befasi të radhëss në kuadër të garës.
Pas FC Prizrenit (Liga e Dytë) që eliminoi Istogun (Liga e Parë), Liria bëhet ekipi i dytë që arrin të eliminojë një ekip nga Superliga, duke e mposhtur Dritën lidere të Superligës, Drita 1-2 Liria [Marko Simonovski 32 - Prins Tjiueza 3, Ardit Topallaj 90].
Ekipi i drejtuar nga Xhengis Rexhepi ka treguar forcën në momentet vendimtare të ndeshjes, ndërsa portieri Drilon Hodaj pos golit të pranuar në pjesët tjera të rasteve të intelektualëve ka qenë i pagabueshëm, duke shpëtuar skuadrën në disa raste të mira të vendasve të drejtuar nga Ardian Nuhiu.
Dy trajnerë që vijnë nga Shkupi dhe Tetova, kanë pasur një ndeshje të ngjeshur, por Rexhepi në fund festoi me ekipin duke bërë befasinë e Kupës, pas golit të Ardit Topallajt në fund të ndeshjes. Topallaj ishte i saktë në kërcim pas krosimit nga korneri që erdhi prej Liridon Fetahajt, për të shënuar në portën e Florian Smakiqit. Fetahaj, gjithashtu bëri asist edhe në golin e parë të ekipit, kur namibiani Prins Tjiueza shënoi për epërsi të hershme të ekipit prizrenas.
Me këtë fitore, Liria ka siguruar një vend në të tetën e finales së Kupës, ndërsa Dritës tashmë i mbetet të koncentrohet vetëm në kampionat, ku pos garave evropiane do të kërkojë edhe titullin kampion me ekipin që ka.