LIRIA 2-0 PHOENIX
Liria gjen formën, fitorja e tretë radhazi
30 September, 2022 @17:08
Pas startit jo të pritur, me një humbje e dy barazime, Liria duket se ka nisur të gjejë formën e mirë dhe sot ka regjistruar edhe fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Prizrenasit e drejtuar nga Xhengis Rexhepi kanë mposhtur ekipin e Phoenixit në “Përparim Thaçi” me rezultat 2-0 [Fitim Susuri 10p., Astrit Berisha 66] për të marrë 9 pikë në 3 ndeshjet e fundit, derisa mysafirët pësuan për herë të dytë këtë stinor.
Liria e nisi mbarë duke krijuar që në minutat e para të lojës dhe shpejt erdhi edhe penalltia, kur Fitim Susuri shënoi nga pika e bardhë për epërsinë e bardhezinjëve, 1-0 (10).
Dominimi i Lirisë vazhdoi edhe më tej, ndërsa pjesa e parë nuk pa më gola, derisa prizrenasit nisën njëjtë edhe në pjesë të dytë, kur së pari tentoi Liridon Fetahaj, e më vonë pas rreth 8 minutash konkretizoi qendërsulmuesi Astrit Berisha.
Deri në fund të ndeshjes nga Phoenixi nuk kishte ndërrim rezultati dhe Liria tashmë në dy ndeshjet e fundit ka portën e paprekur, që tregon se edhe mbrojtja ka nisur këndelljen para duelit ndaj Feronikelit’74, që e pret në Drenas xhiron tjetër.
Phoenixi ndërkaq, pret rivalin e rajonit, Istogun.