Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORE E MADHE E PRIZRENASVE

Liria ndalë liderin duke fituar bindshëm derbin

Liria ndalë liderin duke fituar bindshëm derbin


7 April, 2023 @17:20

Fitorja më e thellë sezonale e Lirisë këtë stinor ka qenë 3-0, ndërsa këtë rezultat bardhezinjtë e Xhengis Rexhepit e arritën ndaj A&N-së dhe Vëllaznimit më parë. E sot, këtë e bënë edhe në derbi ndaj liderit të Ligës së Parë Grupi A, Feronikeli’74 duke i lënë ata tashmë në krye, por vetëm një pikë larg Lirisë ndjekëse.

Që nga fillimi i ndeshjes u pa që Liria ishte shumë më kërkuese për të arritur rezultatin shpejt dhe pas disa rasteve fillestare, ka qenë Liridon Fetahaj në formë, që pas pranimit të topit nga mesi i fushës pandalshëm ka vrapuar te 16-shi kundërshtar për të shënuar me një predhë të radhës për të për epërsi. Para golit, Fetahaj provoi direkt në portë nga korneri (5’), më pas Diellor Beseni me torpedo prej 25metrash tentoi.

Një gabim i portierit Petrit Terziu, bëri që reagimi i shpejt i Astrit Berishës të shndërrohet në gol, pasi që më parë topi ishte krosuar nga Fetahaj prej gjuajtjes së lirë. Festa nisi në Prizren, ndërsa rreth 1 mijë shikues të ardhur në tribunat e Përparim Thaçit që ende nuk ka përfunduar renovimin pas sa e sa viteve, ndërsa ekipet shkuan në pushim me 2-0.

TABELA AKTUALE

Në pjesë të dytë Granit Begolli me zëvendësimet e tij bëri që Feronikeli’74 të mbante topin më shumë, por përkundër disa rasteve të Dardan Rugovës, që ka pasur edhe dy të mira në fillim të ndeshjes, ekipi nga Gllogoci nuk ka arritur të shënojë, ndërsa në anën tjetër reagoi Liria kur pas një kombinimi nga e majta, Princ Tijueza, Astrit Berisha gjetën Qemail Elshanin. Ky i fundi rregulloi topin prej 16-shes për të dërguar në “90-she” të portës kundërshtare mjeshtërisht, ku kësaj radhe Terziu ishte pa gjasa për të bërë më shumë. Liria 3-0 Feronikeli’74 [Liridon Fetahaj 21, Astrit Berisha 29, Qemail Elshani 75].

Deri në fund, Liria bëri katër ndërrime pas 3-0, ndërsa tentimet e Feronikelit’74 (përsëri Rugova, pas pasimit të bukur të Lorik Rudit) nuk gjetën rrjetën e Drilon Hodajt dhe kështu prizrenasit festuan në fund trepikëshin që i afron në krye, ndërsa rivalin direkt e ndalë tashmë në vetëm një pikë largësi.

Renditja tabelare aktualisht është se pas 21 ndeshjeve të zhvilluara në Ligën e Parë Grupi A, Feronikeli’74 lider ka 41 pikë, ndërsa Liria 40. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për këto skuadra, ndërsa në atë të radhës Liria është mysafire e Phoenixit (që gjithashtu po synon Superligën), kurse Feronikeli’74 pret Istogun.

Përndryshe këtë stinor, Liria nuk ka humbur asnjëherë nga Feronikeli’74. Prizrenasit kanë shënuar dy fitore në shtëpi, ndërsa jashtë kanë luajtur baraz me kundërshtarin kryesor në luftë drejt Superligës.

 

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë