SULMUES I RI NË EKIP
Liria përforcon sulmin, zyrtarizon të talentuarin Fatjon Bunjaku
13 June, 2023 @19:52
Ish-sulmuesi i Trepçës, që në pranverë të stinorit 2022/23 luajti për Phoenixin, Fatjon Bunjaku është lojtari i parë i zyrtarizuar si përforcim i Lirisë, që ka siguruar Superligën 2023/24.
Pak më parë, Liria zyrtarizoi marrëveshjen me sulmuesin 19-vjeçar, ndërsa për tu theksuar është fakti se ka qenë pikërisht Bunjaku që shënoi për Phoenixin në barazimin ndaj Lirisë në Vitomiricë, kur prizrenasit humbën hapin për të ndjekur Feronikelin’74 lider në një pikë, gjatë pranverës.
Përndryshe Bunjaku ka shënuar 11 gola për Phoenixin prej se erdhi aty në afatin kalimtar të janarit, me theks të numrit të madh të golave të shënuara në xhirot e fundit, kur tashmë Phoenixi kishte mbetur një hap larg ndjekjes së dyshes që garonin për Superligë.
Bunjaku është provuar më parë edhe në Kroaci, ndërsa ka qenë lojtar i Trepçës. Ai ka marrë ftesë nga Kosova-U19. Ai ka regjistruar tri paraqitje për Kosovën U-19 në kohën kur selektor ishte Ramiz Krasniqi, të trija i kishte luajtur si startues, ndërsa Kosova U-19 ishte mposhtur nga Uellsi 3-0, Gjeorgjia 1-0 dhe Norvegjia 3-0. ◼️