EKSKLUZIVE
Liria pret të përfitojë nga shitja e Muriqit
14 August, 2020 @12:34
Rregullat e UEFA-së thonë që secili klub në zinxhirin e rritjes së një lojtari marrin hise nga transferi, për të ndihmuar klubet në proces dhe veçanërisht klubin amë, që në këtë rast është Liria e Prizrenit.
Por, Liria nuk e di nëse do të merr diçka nga kjo punë, pasi që sipas sekretarit të klubit, nuk është i qartë momenti kur Muriqi ka kaluar nga Teuta te Besa.
Bashkim Kajdomçaj, sekretar i klubit, ka bërë të ditur për TopSporti.com se Liria ka angazhuar avokat ndërkombëtar për të shqyrtuar çështjet, edhe për transferet e mëparme që janë bërë nga Liria.
“Në bazë të rregullave të UEFA-së për transferime është dashur t’i takojë edhe Lirisë një pjesë, por çka ka ndodhur gjatë kalimit në Besë të Kavajës nga Teuta, s’e dimë,” ka thënë Kajdomçaj në deklaratën e tij dhënë për TopSporti.com sot.
Sidoqoftë, bardhezinjtë e Prizrenit ku u rrit Muriqi nuk janë dorëzuar dhe tashmë pas angazhimit të avokatëve presin të shohin përgjigjet nga ligjorja e UEFA-së.
“Ne kemi faktet, pasaportën e lojtarit dhe dokumentin që tregon se ai ka qenë i kalitur te Liria. Askush s’mund t’i ikë obligimeve për të gjitha transferet që ka bërë Muriqi deri më sot,” ka shtuar Kajdomçaj ndër të tjera.
Kujtojmë, Muriqi ka pasur disa aventura para se të arrijë kalimin e madh drejt Fenerbahçes. Ai prej Lirisë kishte shkuar te Teuta e Durrësit, që më pas e huazoi te Besa e Kavajës.
Prej këtu ai kërceu në Ligë të Dytë të Turqisë me Giresunspor, pastaj kaloi në Gençlerbirligi ku s’bëri vend dhe iu kthye Giresunit për të shpërthyer.
Prej aty kaloi në Rizespor, ku tregoi veten shpejt, e më pas doli te Fenerbahçe, ku pas një stinori të kaluar dhe ndeshjeve të mira me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, tashmë Muriqi pritet të bëhet pjesë e Lazios në Serie A dhe e Ligës së Kampionëve.