SHKARKOHET
Liria shkarkon trajnerin Sensoy
11 March, 2021 @19:05
Aventura e trajnerit Naci Sensoy te skuadra e Lirisë ka përfunduar vetëm pas 3 muajsh. Fatura e humbjes së sotme ndaj Malishevës, i është paguar trajnerit, i cili është shkarkuar pas ndeshjes.
Së bashku me trajnerin Sensoy është shkarkuar edhe i gjithë shtabi teknik, derisa si rrjedhojë e kësaj situate, ka dhënë dorëheqje drejtori sportiv i bardhezinjve, Erxhan Dana.
Kujtojmë se trajneri Sensoy kishte marrë drejtimin e Lirisë në dhjetor të vitit të kaluar, duke e zëvendësuar ish trajnerin, Skender Shengyli.
Për ndryshe, Sensoy është trajner me karrierë të pasur në Turqi, Bullgari, Maqedoni Veriore dhe Shqipëri.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë nga KF Liria.
Me datën 11.03.2021 Bordi i KF Liria mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, ku shqyrtoi analizën e deritashme të fillim stinorit pranveror dhe rrjedhën e ngjarjeve pas ndeshjes së fundit.
Vëmendje kryesore ishin rezultatet e dobëta të cilat e kanë përcjellë klubin edhe në pjesën pranverore.
Po ashtu, theks i veçantë iu kushtua sjelljeve jo sportive të trajnerit, Naci Sensoy që nga kthimi prej fazës përgatitore në Durrës, e që kulmuan me ndeshjen e luajtur me Malishevën.
Për hirë të opinionit, duam të sqarojmë që angazhimi i trajnerit Naci Sensoy është bërë me qëllimin më të mirë dhe me ambiciet për t’u rikthyer në Superligë. Atij, i janë lënë duart e lira të zgjedhë shtabin teknik, sikurse edhe që ka sjellur shumicën e përforcimeve, duke i përzgjedhur vetë.
Ne, e kemi ditur që angazhimi tij dhe përforcimet kanë një kosto të madhe, por që ato janë bërë me qëllimin më të mirë, arritjen e rezultateve.
Ne, i siguruam kushte për punë në të gjitha aspektet që ai kërkoi, sidomos në ato financiare.
Mirëpo, sjelljet e tij kanë qenë në vazhdimësi të vrazhda e përqmuese ndaj klubit, veçanërisht raportet me drejtorin. Por, që i kemi toleruar me qëllimin se synonim, kthimin në elitë.
Liria nën drejtimin e Sensoyit, në katër ndeshje, nga 12-të pikë të mundshme, mori vetëm 5 pikë.
Përpos rezultateve jo të mira, ai ka pasur dhe sjellje akuzuese, të pa tolerueshme ndaj Bordit. Kjo sjellje e tij e vrazhdë, ka tejkaluar çdo kufi, sidomos pas ndeshjes me Malishevën, të cilën Liria e humbi, e që fajtori kryesor ishte ai dhe shtabi teknik. Në vend se të pranonte këtë fakt, ai u sollë shumë keq me drejtues të klubit, duke mos qenë vetë kritik, por në të njëjtën kohë duke hedhur akuza, të paqena ndaj drejtuesve të klubit.
Pas analizës së thuktë dhe diskutimeve të anëtarëve të Bordit, u vendos unanimisht që ai të shkarkohet bashkë me shtabin teknik.
Gjithashtu, Bordi miratoi edhe dorëheqjen e drejtorit, Erxhan Dana.
Kujtojmë edhe njëherë opinionin se përgjegjësia për rezultatet e dobëta është e Naci Sensoy, tashmë ish trajnerit, ngase ai solli të gjitha përforcimet.
Ne, si Bord i qëndruam në çdo aspekt afër për krijimin e kushteve sa më të mira për punë.
Por, injoranca e tij, e sjelljet e vrazhda dhe rezultatet e dobëta, na bënë të sjellim vendimin për shkarkim.
Opinioni shpejt do të njoftohet me shefin e ri të shtabit teknik.
Me respekt,
KF Liria
Qemal Krasniqi, kryetar