LIRIA
Liria shkarkon trajnerin
8 February, 2015 @16:04
Skuadra e Lirisë po vazhdon të bëjë ndryshime para fillimit të stinorit pranveror, me qëllim të arritjes së synimit kryesor, rikthimit në Superligë.
Prizrenasit në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë, kanë vendosur unanimisht që ta shkarkojnë trajnerin e deritashëm të skuadrës, Agron Besenin, bën të ditur faqja zyrtare e klubit.
“Pas një analize dhe diskutimi të hapur, Bordi vendosi për ndërrimin e kryetranerit. Qëllimi i këtij ndërrimi, thuhet të jetë rritja e përgjegjësisë dhe disiplinës në ekip për të arritur objektivat. Shumë shpejtë Bordi pritet të gjejë zëvendësusesin,” thuhet në njoftimin e bardhekaltërve.
Gjithashtu në këtë mbledhje është vendosur që kryesisë t’i bashkohet edhe anëtari i ri, Nehari Toska, i cili është ish futbollist i këtij klubi.
Liria e përfundoi pjesën e vjeshtore të stinorit në pozitën e katërt të radhitjes tabelare në Ligën e Parë me 31 pikë, tre më pak kryesuesit, Llapi dhe Gjilani.