LIVERPOOL - EVERTON

Foto: Squawka
Liverpooli i pandalshëm, ruan diferencën me Cityn
24 April, 2022 @19:23
Pasi e deklasoi njërin prej rivalëve kryesorë në mesjavë, Liverpooli sot e mposhti edhe rivalin tjetër, atë të qytetit.
Evertonin e Frank Lampardit Liverpooli sot e mposhti 2-0, për t’ia vazhduar këtij të fundit ecurinë e tmerrshme të rezultateve në ndeshjet jashtë shtëpisë.
Pjesa e parë nuk ishte edhe aq atraktive dhe nuk dhuroi shumë për t’u përmendur, ndërkohë që loja u bë më e gjallë në pjesën e dytë.
Evertoni provoi disa herë me kundërsulme, por pa sukses, e më pas goli i Liverpoolit erdhi në minutën e 62’, pak minuta pasi Klopp inkuadroi në lojë dyshen Origi - Diaz. Golin e epërsisë për Liverpoolin e shënoi skocezi Andy Robertson, i shërbyer nga Mo Salah.
Pas golit të shënuar, gjithçka për Liverpoolin u bë e lehtë. “The Reds” shënuan edhe një herë përmes Origit (85’) dhe e mbyllën ndeshjen me fitore, për t’i qëndruar Cityt 1 pikë prapa, kur iu kanë mbetur edhe nga 5 ndeshje deri në fund të sezonit.
Në lojë për katër trofe, Liverpooli në mesjavë luan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Villarrealit, ndërkohë që Evertoni për momentin e rrezikon seriozisht rënien nga elita e futbollit anglez, sidomos nëse shohim ndeshjet që i kanë mbetur kësaj skuadreje në xhirot e fundit të kampionatit.