Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

STAR OF THE GAMEWEEK XXXIII

Lumbardh Dellova (Ballkani) - Yll i javës (33)

Foto: FFK

Lumbardh Dellova (Ballkani) - Yll i javës (33)


Teksti: FFK

8 May, 2023 @13:02

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 33-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Lumbardh Dellova.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Enes Shosholli, Avni Shala dhe Bujar Guta.

Ky komision u dakordua që epiteti i yllit të javës t’i takojë mbrojtësit të FC Ballkani, pasi në ndeshjen kundër Dritës ishte i pakalueshëm në mbrojtje si dhe në fund shënoi golin vendimtar, që i solli fitoren portokallezinjve (2:1) dhe i la në garë për titullin e kampionit.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Ballkani, Lumbardh Dellova e ndau Dardan Kajdomqaj, menaxher i shitjes në Albi Group.

Pasi mori këtë çmim mbrojtësi i FC Ballkani u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se skuadra e tij edhe në tri ndeshjet e mbetura do të arrijë fitore dhe në fund do ta mbrojë titullin e kampionit.

“Kjo është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që unë vij nga reparti i mbrojtjes dhe kam arritur që të jem më i miri në xhiron e 33-të në Albi Mall Superliga. Fitorja e djeshme ndaj Dritës është shumë e rëndësishme për ne, ngase tani jemi barazuar me pikë me Dritën dhe tri ndeshjet e radhes do të jenë tri finale për ne. Falënderoj shumë bashkelojtarët dhe stafin teknik për mbështetjen qe na japin dhe punën që e bëjmë bashkërisht. Besoj që Ballkani do të arrijë që ta mbrojë titullin kampion dhe më pas na pret një punë e madhe në ndeshjet e Evropës për ta ripërsëritur suksesin e vitit të kaluar”, tha Lumbardh Dellova për faqen zyrtare të FFK-së.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga