Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MALISHEVË

Malisheva zyrtarizon kampionin Xhevdet Shabani

Malisheva zyrtarizon kampionin Xhevdet Shabani


13 January, 2022 @15:02

Malisheva tashmë ka bërë edhe përforcimin e radhës dhe ekipi për pjesën pranverore të stinorit është duke shtuar përvojë në skuadër.

Kështu pas Labinot Ibrahimit, Fidan Gërbeshit dhe disa lojtarëve tjerë, KF Malisheva që është duke debutuar këtë stinor në Superligë sot ka zyrtarizuar edhe futbollistin e krahut Xhevdet Shabani.

Shabani siç dihet është bërë disa herë kampion i Kosovës me ekipet e tij ku ka luajtur, ndërsa ardhja e tij pritet që të jetë armë shtesë për ekipin e Arsim Thaçit, që tashmë do të ketë një snajper nga gjuajtjet e lira veçanërisht në disantcën prej 16 deri në 22 metra, ku Shabani ka shënuar shumë herë nga kjo pozitë.

Xhevdeti 35-vjeçar përgjatë karrierës së tij ka luajtur për Ferizajin, Dritën, Feronikelin, Besën e së fundi ka qenë pjesë e Prishtinës.

“Xhevdet Shabani është një nga përforcimet e radhës në klub deri më tani. Shabani la FC Prishtinën për t’u bërë pjesë e klubit tonë për pjesën e mbetur të këtij edicioni garash. Në Superligën e Kosovës, për disa vite radhazi, Shabani ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur të kampionatit, dhe ardhja e tij në FC Malisheva do të jetë një përvojë e veçantë për klubin tonë,” ka shkruar ndër të tjera në njoftim klubi i Malishevës.

Malisheva pjesën vjeshtore të stinorit e ka kryer në pozitë të shtatë të renditjes tabelare, ndërsa ka mbledhur 19 pikë nga 18 ndeshjet e para të stinorit, duke regjistruar pesë fitore, katër barazime dhe nëntë humbje, me goldallim prej 17 të shënuarave dhe 20 të pranuara.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga