PAS ZYRTARIZIMIT TË NDESHJES
Maqedonët i frikësohen Kosovës në rrugëtim për EURO
15 November, 2019 @9:45
Mediat maqedonase sot kanë aguar me lajmin se Kosova është kundërshtari i tyre, definitiv dhe zyrtar në PlayOff të Ligës së Kombeve, pas humbjes së djeshme nga Çekia.
Në SportMedia të Shkupit është shkruar qartë. “Nëse Kosova ka qenë autsajder para se të niste Liga e Kombeve dhe Maqedonia ka qenë favorite e madhe për këtë gjysmëfinale, tashmë gjërat kanë ndryshuar brenda vitit”, - shkruan aty.
“Kosova ka bërë hapa gjigand gjatë vitit 2019 dhe tashmë Maqedonia nuk është favorite për këtë duel. Deri në mars 2020, Kosova do të bëhet edhe më e fortë, pasi që ka futbollistët më të mirë, të lënduar aktualisht. Gjithsesi, pasi që luajmë në shtëpi, në terrenin tonë, rastin e kemi dhe nuk duhet ta humbasim, pasi që topi është i rrumbullakët dhe nuk i dihet deri në fund…” ka përfunduar artikullin ky portal sportiv.
Maqedonia Veriore e pret Kosovën më 26 mars 2020 në përballjen gjysmëfinale të PlayOffit të Ligës D të Kombeve. Kjo ndeshje duhet patjetër të nxjerrë fitues.
E fituesi i saj luan finalen e Ligës D të Kombeve ndaj fituesit e ndeshjes Gjeorgjia-Bjellorusia, për të arritur biletën drejt EURO2020.
Përndryshe, teorikisht Maqedonia ka ende mundësi për të shkuar në EURO2020 përmes fazës së rregullt kualifikuese.