KUNDËRSHTARJA E SHQIPËRISË
Maqedonia fton 5 shqiptarë për dy ndeshjet e radhës
13 March, 2017 @16:52
Përfaqësuesja IRJ e Maqedonisë ka bërë publike listën e të ftuarve për ndeshjen kualifikuese ndaj Lihtenshtajnit më 24 mars dhe për ndeshjen miqësore ndaj Bjellorusisë më 28 mars.
Në listën e përbërë prej 22 futbollistëve, përzgjedhësi Igor Angelovski ka përfshirë 5 futbollistë shqiptarë.
Egzon Bejtullai (Shkëndija), Ferhan Hasani (Shkëndija), Besart Ibraimi (Shkëndija), Ezgjan Alioski (Lugano) dhe Muzafer Ejupi (Osijek) janë 5 futbollistët shqiptarë që do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Angelovski.
Ndryshe nga të tjerët, mesfushori Ezgjan Alioski është ftuar vetëm për ndeshjen e dytë (miqësoren ndaj Bjellorusisë), pasi që për ndeshjen ndaj Lihtenshtajnit është i suspenduar si shkak i dy kartonave të verdhë nga ndeshjet e mëparshme, kurse mbrojtësi i Shkëndijës, Bejtullai, do të jetë në dispozicion vetëm ndaj Lihtenshtajnit, për shkak se më pas do të ketë obligime edhe me përfaqësuesen U21 të IRJ Maqedonisë.
Në sy bie mos ftesa e mbrojtësit të krahut të majtë të Rijekës, Leonard Zhuta, pasi që përzgjedhësi pritet të luajë me tre mbrojtës ndaj Lihtenshtajnit dhe nuk e ka parë të arsyeshme ta ftojë edhe shqiptarin 24 vjeçar.
Maqedonia në kualifikimet për Rusia 2018 gjendet në grupin G, së bashku me Shqipërinë.