MËRGIM MAVRAJ
Mavraj zyrtarisht ndërron ekipin
27 December, 2016 @12:12
Përmes një komunikate për media, Koln ka bërë të ditur se Mërgim Mavraj është lojtar i ri i Hamburgut në Bundesligë.
“Dy klubet kanë arritur marrëveshje me efekt të menjëhershëm për mbrojtësin 30 vjeçar,” ka shkruar njoftimi i klubit.
Nuk kanë munguar as lavdatat për Mërgimin nga ekipi i Kolnit.
“Për Mërgimin, kontrata e re e ofruar nga Hamburgu ofron perspektivë të re. Ne kemi folur hapur për situatën e re të krijuar pasi që ai na informoi për ofertën e Hamburgut. Ai është një profesionist i dëshmuar dhe një lojtar i vërtet ekipor që ka koordinuar gjithçka në fushë,” ka thënë Jorg Schmadtke, drejtor i Kolnit.
Mavraj kishte ardhur në verë të vitit 2014 te Kolni dhe ka pasur 46 paraqitje për ekipin në 2.5 vitet e fundit.
Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 për ekipin e tij të ri.