LLAPI 2-0 PRISHTINA
Llapi përmbys Prishtinën dhe arrin finalen e Kupës
13 April, 2022 @16:05
Llapi i Tahir Batatinës ka arritur që të sigurojë finalen e dytë me radhë të Kupës së Kosovës dhe ekipi i tij do të shpresojë që të mbrojë trofeun e fituar në vitin e kaluar.
Kjo mund të ndodhë, pasi që sot skuadra llapjane ka arritur fitore 2-0 në Zahir Pajaziti të Podujevës ndaj Prishtinës, për t’ia përmbysur fitoren kryeqytetasve 2-1 që e kishin nga ndeshja e parë.
Pas pjesës së parë të kujdesshme, ku nuk kishte gola ndërsa u regjistruar një mundësi e Gauthier Mankendës, që u prit nga Marjan Coric i Llapit, ishte edhe ndërrimi i detyrueshëm (21) i Kushtrim Shabanit, me brazilianin Bianor Neto.
Kah fundi i pjesës së parë Oto John shënoi për Prishtinën, por flamuri u ngrit për shkak të pozitës jashtë loje. Në pushim, pa gola.
E me të nisur pjesa e dytë ka qenë pikërisht Bianor Neto që ka shënuar për avantazh të Llapit 1-0 (58) ndërsa dominimi i tyre ka vazhduar edhe më tej derisa erdhi edhe penalltia.
Arbnor Ramadani mori përgjegjësinë, por Eglant Haxho i Prishtinës e mbrojti shutin e tij (75).
Nuk vonoi, Francisco Rivera ka pranuar top të mirë nga Valmir Veliu dhe shënoi për 2-0 (79), rezultat ky që siguroi finalen e Kupës për Llapin, derisa eliminoi Prishtinën e Abdulah Ibrakovicit nga garat.
Përfundimtarja Llapi 2-0 Prishtina [Bianor Neto 58, Francisco Rivera 79] bën që Llapi të jetë në lojë për të kërkuar trofeun e dytë radhazi të Kupës së Kosovës.
Kujtojmë, Kupa e Kosovës prej se Kosova (FFK) u pranua në UEFA, dërgon në gara ndërkombëtare. Llapi në finale kësaj radhe do të luajë ndaj Dritës.