Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KRIZA E KAMPIONES

Me juniorë në ndeshjen e radhës?!

Me juniorë në ndeshjen e radhës?!


3 March, 2022 @14:47

Pritën shumë vite për tu bërë përsëri kampionë të Kosovës. E arritën me trajnerin Zekirija Ramadani, të cilin e ndërruan në mes-stinor, duke e sjellë në vend të tij boshnjakun, Abdulah Ibrakovic.

E tash, rezultatet jo të mira kanë sjellë një gjendje tjetër në ekip. E krejt kjo, nuk ka fort lidhje me trajnerin, sa me moskryerjen e pagesave nga ana e klubit drejt lojtarëve.

Prishtina, rekord-kampionia e Kosovës në futboll, është shumë afër gjendjes më të dobët në vitet e fundit. Ekipi që në ndeshjen e radhës mund të paraqitet me juniorë në përballje ndaj Dukagjinit të Klinës, të rrezikuar për rënie.

Në një njoftim të Koha.net drejtori i klubit të Prishtinës, Artan Osmani, ka bërë të ditur se situata nuk është e mirë në klub, ndërsa të njëjtën e ka thënë edhe njëri ndër aksionarët e klubit, Rrahman Haradini.

“Aksionarët e klubit janë të njoftuar për kërkesat e futbollistëve dhe jemi duke u munduar që t’ua shlyejmë borxhin. Shpresojmë që të mos vijë deri te situata që ta luajmë ndeshjen në fundjavë me juniorë,” është cituar nga koha.net Osmani.

Mësohet se klubi i bardhekaltërve u kanë disa paga borxh lojtarëve, ndërsa lojtarët e ekipit të parë kanë kërkuar që borxhi të shlyhet në tërësi, ashtu që futbollistët të dalin në fushë. Lojtarët nuk kanë pranuar shlyerjen e pjesërishme të borxhit.

Prishtina është në pjesën e poshtme të tabelës në Superligë. Ekipi është në vendin e gjashtë, ndërsa ka 26 pikë, nga 22 xhiro të zhvilluara. 19 pikë më pak se lideri i kampionatit, Ballkani. Për mbrojtjen e titullit as që bëhet fjalë. Por tashmë, nëse vazhdohet kështu, mund të bëhet rreziku i madh. I rënies së klubit më të trofeshëm në futboll, në Ligë të Parë!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga