Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRANSFERI I FUNDIT PËR PRISHTINËN

Me Shefitin, Prishtina mbyll afatin kalimtar veror

Me Shefitin, Prishtina mbyll afatin kalimtar veror


2 September, 2022 @11:18

Një sulmes krahu shtesë, sipas asaj që ka shkruar Prishtina, ka qenë dëshira tjetër verore e Ismet Munishit dhe me prezantimin e Shefit Shefitit, Prishtina ka “zyrtarizuar” mbylljen e kuletës për verën 2022.

Tetovari Shefiti vjen te Prishtina prej Renovës nga elita e futbollit të Maqedonisë Veriore. Më parë ai ka mbrojtur edhe ngjyrat e Shkëndijës dhe ka fituar dy tituj kampion dhe një Kupë të Maqedonisë Veriore.

Shefit Shefiti

Sulmuesi 24-vjeçar ka nënshkruar kontratë 1+1 vjeçare me bardhekaltërit, ndërsa që në ditën e parë të stërvitjeve edhe është deklaruar për faqen zyrtare të klubit.

“Prishtinës iu bashkova me shumë dëshirë dhe e kam gjetur një kolektiv shumë të mirë. Besoj shumë se do të kemi suksese drejt qëllimeve që i ka klubi. Është kënaqësi dhe nder të bartësh fanellën e klubit më të madh në Kosovë. Kjo fanellë duhet mbrojtur me sukses andaj duhet dhënë maksimumin. Synimet me Prishtinën janë titulli kampion dhe pjesëmarrja në garat evropiane. “Plisat” janë tifozët më të mirë në Kosovë andaj ju premtoj më të mirën time për këtë fanellë që kryeqytetin ta nderojmë me suksese,” ka thënë tetovari në ditën e parë të tij i veshur me fanellat bardhekaltër të rekord-kampionit të Kosovës.

Vlera e Shefitit, që ka qenë i ftuar edhe në Shqipëirinë U21 gjatë moshës (7 paraqitje, 2 gola), sipas Transfermarkt llogaritet të jetë rreth 250 mijë euro. Prishtina këtë fundjavë luan derbi ndaj Ballkanit, kampionit aktual. Shefiti mund të debutojë që në këtë ndeshje, ku atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, pas paralajmërimeve të tifozërive për pjesëmarrje masive.

Prishtina në anën tjetër e ka nisur mirë stinorin, duke shënuar dy fitore e një barazim në tre duelet e para të zhvilluara!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga