SERBIA - SHQIPËRIA
Me tifozë, apo pa?!
26 September, 2014 @10:50
Ndeshja e shumëpërfolur ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2016, sipas të gjitha gjasave do të luhet pa tifozë.
Lajmin e kanë konfirmuar mediat serbe, por edhe FSHF-ja, njofton Panorama Sport sot.
“Nuk di të them me siguri të plotë shkresën, por edhe unë kam dijeni nga mediat se Federata Serbe nuk ka dhënë garanci për tifozët shqiptarë,” ka thënë për gazetën në fjalë Dritan Kokona, zëdhënës i shtëpisë së futbollit shqiptar.
Sa i përket drejtuesve të Federatës serbe, ata thonë që sot do të dilet me deklaratë zyrtare lidhur me udhëtimin e tifozëve shqiptar në Beograd dhe atyre serb në Elbasan, pasi që sekretari i përgjithshëm i FSS-së, Zoran Lakovic, ka pasur dje disa takime në UEFA dhe sot pritet të zyrtarizojë gjithçka, njofton Novosti serb.
Derisa kreu i FSHF-së, Armando Duka, në një intervistë me faqen zyrtare të saj ka thënë se edhe shqiptarët duhet të jenë të pranishëm në Beograd, por edhe serbët në Elbasan.
Shqipëria dhe Serbia marrin pjesë në Grupin I kualifikues për EURO 2016 dhe takimi ndërmjet dy vendeve do të luhet më 14 tetor në Beograd, derisa më 8 tetor 2015 në Elbasan.