KOLUMNE
Meksika - kombinim mes talentit e përvojës
Shkruan: Luan MORINA
14 June, 2018 @15:08
Dy herë çerekfinalistët e Kupës së Botës, suksesin më të madh e kanë arritur kur kanë organizuar Kupën e Botës. Të dy herët do të eliminoheshin nga nën-kampionët e radhës.
Në vitin 1970, Riva e Rivera do të këpusnin shpresat e Meksikës në çerekfinale, pasi në grupe do të mposhtnin El Salvadorin e Belgjikën, ndërsa Kupën e kishin nisur me barazimin pa gola me Bashkimin Sovjetik.
Gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, Gjermania Perëndimore do t’i kalonte në çerekfinale me golat e Allofs, Brehme, Matthaus e Littbarski, duke mos huqë asnjëri nga penalltitë, pas lojës pa gola për 120 minuta. Manuel Negrete, i Tigres UNAM, do të shënonte penalltinë e vetme kundër gjermanëve, pasi kishte shënuar bashkë me Servin për të eliminuar bullgarët në rrethin e parë eliminator. Aty Meksika vinte pasi kishte fituar grupin me fitoret ndaj Belgjikës e Irakut, dhe barazimin me Paraguajin.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Vetëm në Itali në vitin 1934, në Gjermaninë Perëndimore dyzet vite më vonë, dhe në Spanjë në vitin 1982, Meksika nuk do të dilte të kualifikohej për në Kupën e Botës. Në Francë në vitin 1938 do të hiqnin dorë nga pjesëmarrja, e në vitin 1990 do të përjashtoheshin nga FIFA. Kjo vinte pasi në Kampionatin U20 të CONCACAF në vitin 1988, qëllimisht meksikanët do të shfrytëzonin lojtarë mbi moshën e paraparë. Dy vite përjashtim nga garat e FIFA-s, 1988-1990 ishte vendimi pasues.
Që nga viti 1994, deri në Brazil, Meksika ka kaluar grupet gjashtë radhazi. Ky ritëm i bën meksikanët të mos dyshojnë në kualifikimin në rrethin e dytë as në Rusi. Për kualifikim në çerekfinale ndoshta duhet të presin vitin 2026, kur bashkë-organizojnë Kupën e Botës me Kanadanë e SHBA-të. Kjo pasi në rrethin e parë eliminator shumë lehtë mund të takohen me Brazilin.
Gjersa kalimi në rrethin e dytë është bërë zakon në gjashtë Kupat e fundit, nga vitit 1950 në Brazil, deri në Angli në vitin 1966, për pesë edicionie do të përfundonin garat në grupe duke shënuar vetëm një fitore në 14 ndeshje, prej të cilave do të humbnin 10.
Amerika
Si forcë dominuese në CONCACAF, Meksika nuk e ka pasur shumë të vështirë të kualifikohet në aq shumë edicione të Kupës së Botës. Kampionatin e kësaj zone kontinentale dhe më pas Gold Cup, Meksika e ka fituar në numër rekord, 10 herë. Së fundmi, në vitin 2015, në finale do të binte Xhamajka, falë golave të Guardados, Coronas, e Peraltas. Që të tre janë pjesë e ekipit në Rusi. E vitin e kaluar, do të binin në gjysmëfinale nga Xhamajka, për të cilët golin e vetëm do e shënonte mbrojtësi i New York Red Bulls, Kemar Lawrence.
Ekipi
Carlos Vela këtë pranverë la Realin e Sociedadit për t’u bashkuar me ekipin e porsa promovuar në MLS, Los Angeles FC. Në pjesën tjetër të qytetit janë vëllezërit dos Santos. Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e ekipit vjen nga liga vendore, MX, meksikanët kanë vende në ekipe të rëndësishme anembanë Evropës.
Si një ekip i pjekur në moshë, Juan Carlos Osorio, i cili është në krye të Meksikës që nga viti 2015, preferon të bëj rotacion me formacion dhe strategji. Kjo, ndryshueshmëria e lehtë, dhe përshtatja që kanë lojtarët ndaj kësaj, është arma më e fortë e Meksikës. Nga 4-3-3 ofensiv, kalon në 3-4-3 sipas nevojës, pa anashkaluar edhe 4-2-3-1 e 3-5-2. Mobiliteti i lojtarëve gjithashtu ndihmon në këtë aspekt.
Ndonëse kanë ftuar të pavdekshmin Rafael Marquez, i cili ende luan futboll, në moshën 39 vjeçare, në qendër të mbrojtjes kanë Carlos Salcedon i cili vjen pas një sezoni të shkëlqyeshëm me Eintrachtin e Frankfurtit, dhe Hector Morenon, i cili pati një sezon krejt ndryshe tek Roma para se të kalonte në Sociedad. Krahët e mbrojtjes, me Miguel Layun, e Hugo Ayalan të këmbyer me Salcedon në shumicën e rasteve, duhet të garantojnë një siguri shtesë, së paku në anën e mbrojtësit të Sevillas.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Mesfusha komandohet nga Hector Herrera i Portos, i cili në krahë ka Jonathanin, dhe kapitenin Andres Guardadon, pas një sezoni të kënaqshëm me Betisin. Në sulm, Raul Jimenez ka kaluar si huazim tek Wolverhampton, gjersa aty është edhe Carlos Vela. Peralta, tash 34 vjeçar sjell përvojën, e Hirving Lozano, njëri nga talentet më të mëdha në eredivisie, kërkon përvojën në Kupën e Botës.
Por, pika kryesore e sulmit, është Javier Hernandez. Chicharito me 49 gola të shënuar ka kaluar Jared Borgettin për tre gola në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Meksikës. Tre gola ka shënuar në edicionet e Kupës së Botës, gjersa provon të kaloj Luis Hernandezin, i cili për Meksikën në këtë garë ka shënuar katër herë.
Russia 2018
Ndeshja e parë është më e lodhshmja për meksikanët, në Luzhniki më 17 qershor përballën me gjermanët. Pikët nga kjo ndeshje mund të japin shpresa edhe për çerekfinale, pasi në rrethin e dytë do të takoheshin me të dytin e grupit E – Zvicra, Kosta Rika, Serbia. Në të njëjtën kohë, në ora 17, gjashtë ditë më vonë ndeshen me Korenë Jugore, e fazën e grupeve e mbyllin me Suedinë, më 27 qershor në ora 16.