BARAZIM I DYTË, PËR TË DYTË

Pamje nga fillimi i ndeshjes Trepça - Rilindja 1974/ Foto: KFRilindja1974/ fb
Merlaku anulon golin e Ba-së, për ndarje pikësh
24 February, 2023 @23:51
Dy ndeshjet e para të pranverës, dy pikë për Trepçën. Njëjtë edhe për mysafirët e sotëm, të Rilindjes’1974 që barazuan në pjesë të dytë për të siguruar pikën.
Trepça avancoi para fundit të pjesës së parë, kur Moustapha Ba shënoi për avantazhin e ekipit të drejtuar nga Emin Baliqi, ndërsa në pjesë të dytë për mysafirët rezultatin e barazoi Abedin Merlaku në minutën e 76 të ndeshjes, për të vendosur kështu edhe rezultatin përfundimtar të duelit, Trepça 1-1 Rilindja 1974 [Moustapha Ba 34 - Abedin Merlaku 76].
Barazimi, pas 16 ndeshjesh lë Trepçën të parafundit në renditje, pozita e nëntë, me 14 pikë, ndërsa Rilindjën 1974 në pozitën e gjashtë me 22 pikë.
Kjo ndeshje u luajt në stadiumin sintetik të Mitrovicës Xhevat Jusufi pasi që, siç dihet stadiumi olimpik Adem Jashari është lënë pas dore plotësisht dhe është bërë i pashfrytëzueshëm, disa vite pas renovimit dhe ndeshjeve ndërkombëtare që i luajti aty reprezentacioni i Kosovës, pas lejes nga FIFA për miqësore ndërkombëtare, ende pa qenë pranimi i plotë i FFK-së në UEFA e FIFA.