DRITA - FERONIKELI
Milicaj i jep dritë Feronikelit
5 March, 2017 @14:51
Feronikeli ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Dritën në Gjilan me rezultat minimal 0-1.
Rasti i parë në ndeshje erdhi qysh në minutën e tretë, kur me anë të një kundërsulmi të shpejt të Dritës, Semir Zeneli mbeti ballë për ballë me portierin Faton Maloku, por gjuajtja e tij shkoi jashtë porte.
Një rast të mirë kishte edhe sulmuesi afrikan i Feronikelit, Abu Kamara, i cili debutoi sot si titullar. Kamara rrezikoi portën e Artan Latifit me goditje me kokë, por tentimi i tij shkoi mbi portë.
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri i Dritës, Ismet Munishi, e futi në lojë sulmuesin Alban Shillova në vend të të riut, Leotrim Kryeziu, duke bërë që skuadra e tij të jetë më e rrezikshme në sulm.
Kështu, rastet për Dritën filluan të shpeshtohen, ndërsa shumë lehtë mund të ndryshohej edhe rezultati në minutën 63’, por që së pari Përparim Livoreka, e më pas Bergin Maliqi, nuk ishin mjaft të vëmendshëm.
Në minutën 75’ edhe Alban Shillova rrezikoi duke gjuajtur bukur drejt portës së Feronikelit brenda zonës së rreptësisë, ndërsa me bukuri të njejtë, Faton Maloku e dëboi topin në korner.
E në minutat e fundit, Dritën e dënoi Mark Milicaj, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca, ndërsa shënimin e tij e ndihmoi edhe devijimi i topit nga mbrojtja gjilanase.
Kjo është fitorja e 12-të e Feronikelit në këtë stinor, ndërsa Drita pësoi humbjen e dhjetë dhe vazhdon të mbetet në zonën e rrezikshme të radhitjes tabelare.