OSIJEK - GORICA

Mirlind Daku si zëvendësues shënon dygolësh për fitoren e Osijekut
19 September, 2021 @21:46
Sulmuesi i Kosovës, Mirlind Daku, ka shënuar golat e parë të tij sonte në HNL të Kroacisë, duke qëlluar dy herë portën kundërshtare për të kthyer ekipin e tij në lojë, në fitoren 3-2 [Daku 75, 84, Loncar 90+3 - Kalik 29, Brodic 81] të Osijekut ndaj Goricës.
Në stadiumin e qytetit të Osijekut, Daku ka barazuar dy herë epërsinë e mysafirëve, pasi që ishte futur në lojë nga trajneri Nenad Bjelica në minutën e 67 të ndeshjes për të zëvendësuar sulmuesin argjentinas të skuadrës Ramon Mierez.
E Daku barazoi së pari në 1-1, pastaj në 2-2 për të fituar ndeshjen me golin e bashkëlojtarit Danijel Loncar në kohën shtesë të ndeshjes, 3-2.
Me këtë fitore, Osijeku ka arritur në pozitën e dytë të renditjes me 17 pikë nga 9 ndeshje, ndërsa Gorica është e pesta me 13 pikë nga po aq ndeshje.
Te Gorica, reprezentuesi i Shqipërisë, Albi Doka mbeti gjatë tërë ndeshjes në bankën rezervë të skuadrës.