ISMET MUNISHI
Munishi: Kur avancojmë dhe e kemi Koliçin në portë, ëshë problem të mposhtemi
10 April, 2021 @18:54
Fitoren e sotme përballë Feronikelit, trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ia atribuoi portierit Enea Koliçi.
Gjilani fitoi me rezultat minimal 1-0 me golin e Gerhard Prognit, gjersa gjatë ndeshjes kishte edhe një penallti të huqur nga Keita Razak.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Munishi u shpreh i kënaqur me lojën dhe rezultatin, ndërsa shtoi se ekipi i tij duhet të ambientohet me lojë të shpejtë.
“Jam shumë i kënaqur me lojën dhe rezultatin. Krijuam shumë raste në pjesën e parë, luajtëm shpejt dhe në shpejtësi të sipër bëmë edhe gabime, sepse nuk kishim koncentrim të duhur para portës. Ne duhet të ambientohemi të luajmë me një shpejtësi të tillë. Ndeshja mund të kryhej kur ishte rasti i penalltisë, por më shumë m’u dhimbs lojtari që e humbi penalltinë, se sa penalltia, sepse ne kur avancojmë 1-0 dhe kur e kemi Koliçin është problem të humbim ndeshjen”, tha Munishi për Art Sport.