GJILANI 1-0 FERONIKELI
Gerhard Progni me supergol, vendos ndeshjen
10 April, 2021 @17:02
Mesfushori perfekt i Shqipërisë, Gerhard Progni, me super golin e shënuar nga gjuajtja e lirë, ka vendosur ndeshjen e ditës në Superligë, ku Gjilani ka mposhtur Feronikelin 1-0 [Gerhard Progni 20].
Pas një rasti të Feronikelit në fillim të ndeshjes me Damir Kojasevic, Gjilani ka reaguar me dominim dhe shpejt me një gjuajtje të lirë të ekzekutuar mjeshtërisht nga Progni, ka marrë epërsinë.
Më pas, Gjilani ka pasur edhe 2-3 raste, derisa fiton edhe penallti në minutën e 37 të duelit. Por, Keita Razak gjuan topin jashtë portës, për të shkuar në pushim pjesëlojësh me rezultat minimal 1-0.
Gjatë pjesës së dytë Feronikeli me ndërrime ka tentuar të ndërrojë diskurin e lojës. Klodian Duro futi Besmir Bojkun dhe Jean Cariocën në vend të Simon Loshit dhe Adem Maliqit, por rastet nuk u konkretizuan.
Carioca pati rast të mirë në minutën e 53 të ndeshjes. Më pas ka tentuar edhe Marko Simonovski, por Enea Koliçi në portën e vendasve është treguar i sigurt.
Deri në fund, raste të rrezikshme më nuk kishte dhe kështu Gjilani ka shënuar fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit të Superligës, për të qëndruar sigurt në pozitën e katërt të renditjes tabelare.
Feronikeli me regjistrimin e humbjes së dhjetë të stinorit, nuk e ka të sigurt ende rehatinë në Superligë.