SULMUESI KUQEZI
Myrto Uzuni drejt LaLigas, Ferencavarosi e falenderon zyrtarisht
31 January, 2022 @23:12
Sulmuesi i Shqipërisë, Myrto Uzuni, edhe zyrtarisht nuk është më pjesë e ekipit të Ferencvarosit të Hungarisë.
Futbollisti 26-vjeçar nga Berati bëhet anëtar i ri i ekipit të Granadas në La Liga të Spanjës, ndërsa klubi i tij aktual nga Hungaria ka lëshuar videon e falenderimit për lojtarin pak më parë.
“Myrto Uzuni ndahet nga Ferencvarosi pas dy viteve të kaluara këtu. Një titull kampioni i Hungarisë, një Kupë janë trofetë e fituara si dhe paraqitje në fazën grupore të Europa Ligës. Të falenderojmë për gjithçka,” ka shkruar klubi hungarez pak më parë.
Granada është në pozitën e 14 në renditjen tabelare të La Ligas, ndërsa ka 24 pikë.
Ai pak pas orës 23:00 u bë zyrtarisht lojtar i Granadas, derisa klubi i tij i ri ka bërë të ditur se ai ka nënshkruar deri në qershor të vitit 2025.
“Lojtari i ri i rojiblancove ka përvojë nga Europa Liga dhe Liga e Kampionëve, ndërsa është futbollist i rregullt i reprezentacionit të Shqipërisë,” ka shkruar ndër të tjera Granada në njoftimin prezantues për Uzunin.
Uzuni ka kaluar testet mjekësore te Granada dhe do t’i bashkohet të enjten bashkëlojtarëve në stërvitje.