DRITA 1-0 DRENASI
Namani “shpëton” Dritën pas vazhdimeve
2 December, 2021 @15:10
Nënkampionja aktuale e Kosovës dhe njëra ndër skuadrat kandidate për titull të kampionit të Kosovës, Drita, menzi ka arritur të eliminojë skuadrën nga Liga e Parë Drenasi në përballjen që posa përfundoi në Gjilan, në kuadër të Kupës së Kosovës.
Gjilanasit e drejtuar nga Ardian Nuhiu kanë qenë në epërsi edhe me lojtarë në fushë prej minutës së 73 të ndeshjes, kur Endrit Bytyqi i Drenasit mori kartonin e dytë të verdhë për ta lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.
Drenasi nuk u dorëzua dhe vazhdoi tutje, për të çuar ndeshjen në vazhdime, përkundër rasteve të Dritës. E në vazhdimin e parë si shpëtimtar i Dritës ka dalë të jetë mesfushori Hamdi Namani që ka shënuar golin e fitores, për 1-0 përfundimtare: Drita 1-0 Drenasi [Hamdi Namani 96].
Trajneri Nuhiu në pjesë të dytë ka inkuadra përvojën në fushë për të fituar ndeshjen, duke futur Marko Simonovskin, Arbnor Mujën dhe Almir Ajzerajn, më pas edhe Muharrem Jasharin e Astrit Fazlin për të arritur te fitorja ndaj Drenasit rezistues dhe të organizuar.