PARASHIKIM

NBA 2019/20, parashikime për sezonin e ri
Shkruan: A.P
22 October, 2019 @20:43
Liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA, sonte pas mesnate do të fillojë me dy ndeshje.
Sivjet sezoni në NBA pritet të kalojë më interesant sesa në vitet e fundit, ngase gjatë afatit kalimtar, super yjet në shumicën e skuadrave janë shkëmbyer dhe mund të themi se është balancuar sado pak liga.
Kandidati kryesor për ta fituar titullin sivjet është skuadra e Los Angeles Lakersit. Ata në skuadër e shtuan super yllin Anthony Davis, derisa e forcuan ekipin me Dwight Howard, Danny Green e DeMarcus Cousins.
Edhe skuadra e dytë nga Los Angelesi, Cillpersat, bënë dy transferime që me javë u përfolën. Kawhi Leonard dhe Paul George do të tentojnë t’i befasojnë basketbolldashësit, ndoshta ngjashëm sikur që na befasoi Leonard me Raptorsat sezonin e kaluar.
Nënkampioni i NBA-së, Golden State Warriors, e humbi super yllin Kevin Durant, i cili u transferua te Brooklyn Nets, por e shtoi në skuadër lojtarin D’Angelo Russell, që pritet t’ia lehtësojë pak punën e Stephen Curryt në sulm në mungesë të Klay Thompsonit të lënduar.
Një tjetër shkëmbim të madh bëri edhe Houston Rockets. “Raketat” në skuadër e shtuan super yllin Russell Westbrook, i cili së bashku me James Hardenin pritet të jenë dyshe e pakapshme në sulm.
Në Konferencën Lindore, skuadra më së shumti vëmendje është Brooklyn Nets. Skuadra nga New Yorku, e transferoi Kevin Durantin dhe Kyrie Irvingun, por Duranti për shkak të lëndimit do të mungojë gjithë sezonin.
Edhe Boston Celtics e forcoi skuadrën me Kemba Walker e Enes Kanter, kurse e draftuan lojtarin Tacko Fall, i cili është i gjatë 226 cm, 3 më pak se legjenda Yao Ming.
Philadephia 76ers e largoi yllin Jimmy Butler nga skuadra, por e shtoi Al Horfordin nga Bostoni. Arma kryesore e Phillyt do të jetë trapezi, ku Horford dhe Embiid, do t’i shkaktojnë probleme skuadrave tjera.
Skuadrat që do ta arrijnë Play Offin 2019/20:
Konferenca Lindore: Milwaukee Bucks, Philadelphia 76ers, Boston Celtics, Miami Heat, Toronto Raptors, Brooklyn Nets, Indiana Pacers, Orlando Magic.
Konferenca Perëndimore: Los Angeles Lakers, Golden State Warriors, Houston Rockets, Los Angeles Clippers, Portland Trail Blazers, Denver Nuggets, Utah Jazz, Dallas Mavericks.
Çmimet individuale
Sa i përket çmimeve individuale, MVP i sezonit të ri parashikojmë të jetë LeBron James. Konkurrentë të fortë për MVP pritet të jenë edhe Giannis Antetokonmpo, James Harden e Antony Davis
Numri 1 i draftit Zion Williamson, i cili aktualisht është i lënduar, por parashikojmë të zgjedhet “Rookie of the Year”.
Çmimet tjera i parashikojmë kështu:
Trajneri i vitit: Frank Vogel.
Most Improved Player of the Year: Luka Doncic
Defensive Player of the Year: Rudy Gobert.
6th man of the Year: Lou Williams.
Gjithsesi, këto parashikime janë shumë të hershme, sidomos kur dihet që deri në qershor të vitit 2020 shumë gjëra do të ndryshojnë. Skuadrat mund të përforcohen/dobësohen në afatin kalimtar, lojtarë të ndryshëm mund të pësojnë lëndime, trajnerë mund të shkarkohen, e shumë gjëra të tjera, mirëpo neve na mbetet vetëm të tentojmë të parashikojmë dhe të shijojmë magjinë e ligës më të fortë basketbollistike në botë.