VOKRRI
Në 10 ditë, pranohemi në UEFA dhe FIFA
18 March, 2016 @23:43
Federata e Futbollit e Kosovës në muajin maj pritet të pranohet në UEFA dhe FIFA. I bindur për këtë është treguar kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili në emisionin televiziv Interaktiv, ka thënë se pranimi i Kosovës në dy organizatat më të mëdha të futbollit pritet të bëhet vetëm për 10 ditë.
Ai sqaroi se pret që Kosova së pari të pranohet në UEFA, e cila tashmë e ka futur në rend të ditës çështjen për pranimin e Kosovës në Kongresin e ardhshëm që do të mbahet më 3 maj në Budapest të Hungarisë, ndërsa më pas, do të mund të pranohet edhe në FIFA, në Kongresin e 12-13 majit në Mexico City.
UEFA sot ka dorëzuar dokumentet për regjistrimin e Kosovës në FIFA, e cila do të dakordohej menjëherë për ta pranuar Kosovës, në qoftë se kjo e fundit pranohet në UEFA. Pra, tashmë e gjithë vëmendja është tek UEFA-ja, e cila do të vendos për pranimin me anë të zgjedhjeve më 3 maj.
Në rast të pranimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA, Kosova do të mund të jetë pjesëmarrëse edhe e kualifikimeve për kampionatin botëror Rusia 2018.